Presidenti rus kryesoi këtë të mërkurë një mbledhje të Këshillit rus të Sigurisë ku të pranishëm ishin zyrtarët më të lartë politik dhe të mbrojtjes së Moskës zyrtare. Ndër mesazhet e shpërndara, Putin u ndal tek njoftimet e fundit të Presidentit amerikan DOnald Trump se SHBA do të rifillojnë testet bërthamore. Sipas Putin, Rusia duhet të bëjë të njëjtën gjë nëse SHBA do të rifillojnë testet.
Ndërkohë ushtria ukrainase tha se goditi një rafineri nafte në rajonin rus të Nizhny Novgorod, në lindje të Moskës. Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, në një postim në Telegram, shpjegoi se ushtria shënjestroi rafinerinë Lukoil në qytetin e Kstovos, e cila po furnizonte ushtrinë ruse me furnizime.
Nuk ka pasur asnjë konfirmim zyrtar nga Moska për sulmin, por guvernatori i rajonit të Nizhny Novgorod, Gleb Nikitin, tha se njësitë ruse të mbrojtjes ajrore zmbrapsën një sulm nga 20 dronë pranë Kstovos.
Ndërkohë rusët theksuan se në total shkatërruan 40 dronë ukrainas gjatë natës, raportoi të mërkurën agjencia e lajmeve Tass, duke cituar të dhënat e Ministrisë së Mbrojtjes Ruse.
