Presidenti rus Vladimir Putin vlerësoi presidentin e sapozgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, si një politikan “me përvojë dhe inteligjent” dhe shtoi se administrata e presidentit në detyrë, Joe Biden “po përpiqet të krijojë probleme për Trump”.
Gjatë fjalës në margjinat të Këshillit të Sigurisë Kolektive (CSTO) në Astana, Kazakistan, lideri rus përsëriti pikëpamjen e tij se Perëndimi është i përfshirë drejtpërdrejt në konfliktin në Ukrainë.
Ndaj, prej kur Kievi nisi të përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi, të dhëna nga Perëndimi, Rusia ka rënduar sulmet në terrotorin ukrainas. Këtë të enjte (28 nëntor 2024) ushtria ruse ka kryer një sulm masiv ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës dhe si pasojë më shumë se 1 milion njerëz kanë mbetur pa energji elektrike.
Presidenti rus deklaroi se sulmi më i fundit ishte “përgjigjja” e Moskës ndaj sulmeve ukrainase në territorin rus me raketa amerikane me rreze të mesëm veprimi, ATACMS.
Gjithashtu ai paralajmëroi se objektivat e ardhshëm të Rusisë mund të përfshijnë “qendrat e vendimmarrjes” në Kiev.
Ndërkohë nga ana tjetër edhe Ukraina ka nisur një sulm masiv me dron në Rusinë jugore.
“Njësitë ruse të mbrojtjes ajrore kanë zmbrapsur një sulm masiv me dron ukrainas në rajonin Krasnodar të Rusisë jugore”, raportoi guvernatori Veniamin Kondratyev në Telegram.
Në njoftimin e publikuar guvernatori tha se në qytetin Slavyansk-on- Kuban, mbetjet e dronëve u rrëzuan pranë një shtëpie.