Një 39-vjeçar është proceduar penalisht nga Policia e Tiranës, pasi ka qëlluar me armë sportive një mace. Video u bë publike në mediat sociale, ku shihet 39-vjeçari teksa keqtrajton kafshën.
Pas hetimeve, thotë policia u shoqërua në komisariat shtetasi S.K, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e policisë gjetën një armë sportive, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve nisi procedimi penal për shtetasin S.K, për veprat penale “Keqtrajtimi i kafshës”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm.