Vendimi i qeverisë Kurti që shpalli organizata terroriste “Mbrojtjen Civile” dhe “Brigadën e Veriut”, për Bashkimin Europian është i njëanshëm dhe nuk kontribuon për shtensionim të situatës. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së në Këshillin Evropian javën e kaluar kanë bërë thirrje për shtensionim të menjëhershëm të situatës.
“Udhëheqësit e 27 vendeve anëtare të BE-së në Këshillin Evropian javën e kaluar bënë thirrje për de-përshkallëzimin e menjëhershëm të situatës në Kosovë. Këto emërtime janë një hap i njëanshëm që nuk kontribuon në de-përshkallëzimin e situatës dhe as për të gjetur një mënyrë për të adresuar problemet ekzistuese në mënyrë të qëndrueshme”, ka thënë ai.
Stano thotë edhe se palët duhet të marrin në konsideratë propozimin e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell. “Ne përsërisim thirrjen që të dyja palët të përmbahen nga çdo veprim apo retorikë që mund të çojë në rritje të mëtejshme të tensioneve dhe të ndërmarrin hapa urgjentisht për të de-përshkallëzuar situatën aktuale në veri të Kosovës në përputhje me propozimin e bërë nga HRVP Borrell më 22 qershor”, ka thënë ai.