Qeveria ”Rama 3” është vënë në lëvizje për t’i ardhur në ndihmë këngëtares Parashqevi Simaku. Për të ndjekur këtë rast, është angazhuar Taulant Balla, i cili mban edhe një rol koordinues për diasporën.
Balla dhe stafi diplomatik në Nju Jork të SHBA-ve, janë angazhuar për të siguruar dokumente identifikuese për artisten, e cila nuk dispononte asnjë të tillë pas viteve të fundit që i kishte kaluar në gjendje të rënduar.
Në konsullatën shqiptare në Nju Jork është zhvilluar një takim, i cili ka pasur për qëllim ta ndihmojë këngëtaren në dy drejtime: ta pajisë me një pasaportë shqiptare dhe të ndërmjetësojë me shtetin amerikan, për të kuptuar nëse ka dokumentacion që mund të rifreskohet, apo të niset ndonjë procedurë e re për ta pajisur si me dokumente identifikimi, ashtu edhe qëndrimi.
Ngjarja doli në pah pas publikimit të një videoje javën e kaluar nga një televizion amerikan, teksa më 13 dhjetor erdhën reagimet e para, edhe nga të afërmit, se personi në filmim ishte këngëtarja e njohur.