Pak ditë më parë AKU lëshoi një paralajmërim urgjent, për tërheqjen nga tregu të qumështit për bebe i cili ishte i kontaminuar. Marrë shkasë nga kjo eksperti i sigurisë ushqimore Alban Zusi, i ftuar në emisionin “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ka folur për problematikat serioze që lidhen me sigurinë e produkteve ushqimore në treg, duke theksuar rolin gjithnjë e më të rëndësishëm të industrisë në mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
Sipas tij, janë vetë kompanitë ato që sot vendosin barriera për të mos lejuar qarkullimin e produkteve të dëmshme, një standard i ndjekur prej vitesh edhe në vendet më të zhvilluara.
Zusi u ndal veçanërisht te rreziku i lartë që vjen nga lëndët e para të kontaminuara, si misri me aflatoksinë, dhe pasojat e rënda që këto toksina mund të kenë në zinxhirin ushqimor dhe në shëndetin e njerëzve, duke theksuar se vendimi për bllokimin e qumështit është i drejtë si nga ana ligjore, ashtu edhe nga ajo etike.
Alban Zusi: Tashmë është industria ajo që bëhet barrierë dhe pengesë, për të mos lejuar që në treg të dalin produkte të cilat dëmtojnë shëndetin e njerëzve. Është për t’u përshëndetur rasti i “Luftës” edhe pse ka një mal me gjëra për t’u bërë në këtë kontekst. Nëse kompania do e nxirrte atë produkt në treg do të ishte kompania si tabelë qitje. Në të gjithë botën janë vetë kompanitë ato të cilat kanë vendosur këtë lloj standardi. Por, këto probleme nuk janë vetëm shqiptare, i ka kaluar edhe Gjermania e shumë vende të tjera.
Aldo: Pse ka ndodhur e gjitha kjo?
Alban Zusi: Faktori i parë, lidhet kryesisht me ushqimin i cili vjen nga Serbia, misri jo rrallë herë vjen me aflatoksinë. Një kompani tjetër shqiptare, falimentoi vetëm për këtë gjë, nga misri i kontaminuar. Toksinat në momentin që konsumohen nga kafsha, ato kalojnë në qumësht dhe nga qumështi më pas na kalojnë edhe ne. Këto janë toksina dhe substanca kimike të cilat kur depozitohen në qelizat tona mbi një masë të caktuar dhe fillojnë japin një rrezik mbi qelizat tona. Nëse ato fillojnë dhe akumulohen, fillojnë të shndërrohen në sëmundje kancerogjene, të cilat fatkeqësisht në Shqipëri në vitet e fundit janë shumë prezente. Ndoshta jemi vendi me numrin më të lartë të sëmundjeve kancerogjene në Europë.
Aldo: A është i drejtë vendimi për bllokimin e qumështit? A është komfort ligjit?
Alban Zusi: Nga pikëpamja ligjore dhe nga pikëpamja etike kompania ka bërë veprimin e duhur.
