Këshilli i Qarkut Dibër shpalli sot “Nderi i qarkut” Major Klodian Tanushin, i cili ra në krye të detyrës më 10 Maj 2019 në Letoni, ku shpërthimi i një mine i mori jetën. Në motivacion thuhet se Major Klodian Tanushit i jepet ky titull “për sakrificën sublime, trimërinë, guximin dhe kontributin e lartë të vlerave më të shenjta të ushtarakut shqiptar, duke dhënë jetën në mbrojtje të paqes”.
I lindur në Dibër më 1980, dhe baba i tre fëmijëve, Major Tanushi do të niste karrierën ushtarake në vitin 2000 ku do të ndiqte studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”. Më pas do të ndiqte disa kurse funksionale EOD Niveli I-rë “Për asgjesimin e municioneve me eksploziv”. Ka marrë pjesë ne kursin “EUFOR Mine Awareness Instructor Course”. Pas përfundimit të Akademisë është titulluar oficer dhe me urdhër nr.9628 datë 18.09.2003 ka marrë gradën e “Nëntogerit”. Në vitin 2006 ka marrë gradën e “Togerit”, në vitin 2010 ka marrë gradën e “Kapitenit” dhe në vitin 2017 ka marrë gradën e “Majorit”. Ai ka kryer detyra si: Komandant Toge, Komandant Kompanie, Shef Seksioni, Specialist Operacionesh. Së fundmi me detyrë Komandant i Togës së parë të EOD. Në 20.12.2018 është dërguar me mision në Operacionin Ushtarak të NATO-s në Riga, Letoni në përbërje të Grup-batalionit kanadez me detyrë Komandant i Kontigjentit shqiptar dhe përfaqësues i lartë ushtarak, me afat qëndrimi 6-mujor. Gjatë karrierës së tij është vlerësuar me Medaljen e “Karrierës” nga Komandanti i Forcës, Medaljen e “Shërbimit” nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Medalje shërbimi në Mision jashtë vendi si dhe Medaljen “Për pjesëmarrje në shërbime ndërkombëtare” nga Ministri i Mbrojtjes. Major Tanushi prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë, ndërsa është shpallur “Dëshmor i Atdheut”.