Mbrëmjen e shkuar opozita braktisi punimet e seancës plenare në Kuvend, dhe kemi të bëjë me skenarin e parë, të radikalizimit? Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi zbulon detaje nga aksioni opozitar dhe rruga që PD do të ndjekë, pasi socialistët i refuzuan ngritjen e komisioneve hetimore për çështjen McGonigal dhe 11 Majin. Këlliçi tha se ashtu siç ishte paralajmëruar, pas publikimit të raportit të plotë të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare, PD do të nisë analizën e saj, duke zbritur menjëherë në bazë.
”Ne kemi thënë që presim raportin final për të nisur procesin e analizës. Ky raport tashmë është publik. Faktoi të gjitha pretendimet e Partisë Demokratike për një farsë elektorale të ndodhur në datë 11 maj dhe tashmë nuk ka më kohë për të humbur dhe ne do duhet të zbresim fillimisht të sqarojmë të gjithë bazën e partisë tonë për raportin, më pas të kemi një dialog me qytetarët”, tha Këlliçi në A2 CNN.
Nga ana tjetër, ai bëri me dije se të hënën në orën 13:00 do të mblidhet Kryesia e PD për të vendosur qasjen në raport me Kuvendin. ”Ditën e hënë në orën 13:00 kemi Kryesinë dhe do të vendoset e do diskutohet edhe vendimmarrja në raport me qasjen që ne do të kemi me Kuvendin, por jo vetëm edhe me çështjen e zgjedhjeve, sepse na janë mohuar zgjedhjet”.
I pyetur nëse me situatën e krijuar mund të ketë diskutime brenda PD për skenarët e një kushtëzimi të Parlamentit, Këlliçi tha se bojkoti nuk është një opsion dhe PD e ka treguar këtë duke pranuar mandatet. Sipas tij mandatet e fituara më 11 Maj do të shfrytëzohen për të ngritur në Parlament çdo problematikë të qytetarëve shqiptarë.
”Mundet të kemi një marrëdhënie të kushtëzuar me parlamentin. Shiko nëse do të kishim patur një qasje pro bojkotit, nuk do të kishim hyrë fare në Parlament. Pra në këtë fazë të re, nuk do të kishim hyrë në datën 12 po të ishte çështja për bojkot, por për sa kohë kemi marrë ato mandate për të ngritur zërin për interes qytetarëve, për problemet e qytetarëve, për t’i dalë zot atyre të paktën 500.000 qytetarëve që na kanë votuar, patjetër do shfrytëzojmë çdo hapësirë.
Të qëndrojmë në parlament si dekor kjo nuk ndodh. Pra, e tentuam në dy seanca normale, e tentuam që të kishim seanca krejt të zakonshme dhe në favor të interesit të qytetarëve. Për sa kohë do të kemi një qasje të tillë nga mazhoranca edhe qasja jonë do të jetë krejt ndryshe si opozitë, si Parti Demokratike. Vendimmarrja finale është të hënën në orën 13 dhe zbritja në bazë kur unë personalisht për tre orë do të kem takim në Njësinë 9 në Tiranë ku nga mund të quhet tur i takimeve”.
