Ne jemi komunista” kënga simbol e regjimit diktatorial është transmetuar sot në valët e Radio Tiranës. Në internet qarkullojnë shumë video të qytetarëve që e kanë dëgjuar atë në radio, ndërkohë që në rrjetet sociale kanë vërshuar komentet e personave të revoltuar për këtë ngjarje.
“Panorama” ka pyetur sot Drejtorin e Përgjithshëm të Radio Televizionit Publik Shqiptar, Thoma Gëllçi për këtë ngjarje.
Gëllçi ka sqaruar se behet fjalë për një gabim të teknikut të Radio Tiranës.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm, tekniku i Radios ka vendosur këngën “Ne jemi komunista” në listën e këngëve fituese të festivalit.
Ai e ka quajtur këtë si një incident të shkëputur për të cilin janë marrë masa.
Drejtori i Përgjithshëm i RTSH sqaroi më tej për “Panorama” se nuk behet fjalë çështje politike.
“Ishte një gabim i teknikut të Radio Tirana. Ai kishte futur gabim në listën e këngëve fituese edhe atë. Ishte gabim dhe u morën masat. Është një incident i shkëputur, nuk është politike”, theksoi Drejtori i Përgjithshëm i RTSH.
Kënga është kënduar nga Marina Grabovari dhe ka fituar çmimin e parë të Festivalit në ‘82. / PANORAMA
Teksti i kengës
Me flakë epopeja
Po shkruhej në Tiranë,
Një botë tek agonte
Nga syri i pushkës pamë.
Një nuse në barrikada
Vendos një djep fëmije,
Shaminë hoq të na lidhte
Plagët rrënjë lirie.
Dhe turravrap mes predhash
I biri e kërkonte,
Por nusja pozicionet
Me djepin tok mbronte.
Trimëresha mbante djepin
Dhe foshnja ndiqte nënën,
Që djali të mos vritej
Përpara vinim zëmrën.
Ne ishim komunistë,
Shokë të Enverit.
Partia na kaliti,
Besnikë në rrugë të nderit.
Ne jemi komunistë,
Shokë të Enverit.
Partia na kaliti,
Besnikë në rrugë të nderit.
Në sulme të përgjakura
Me zjarr ku digjej nata
Si monument po ngrihej
Ky djep në barrikada.
Nën palët e flamurit
Tiranës mbi bunkere
Një nuse rend përpara
Me krahët hapur n’ere.
Trimëresha mbante djepin
Dhe foshnja ndiqte nënën,
Që djali të mos vritej
Përpara vinim zëmrën.
Ne ishim komunistë,
Shokë të Enverit.
Partia na kaliti,
Besnikë në rrugë të nderit.
Ne jemi komunistë,
Shokë të Enverit.
Partia na kaliti,
Besnikë në rrugë të nderit.
Ne jemi komunistë!
