20 përqind e shqiptarëve do të vaksinohen brenda tremujorit të parë të vitit 2021, ndërkohë që Shqipëria, pjesë e aleancës COVAX, ka bërë pagesën për 1 milion e 140 mijë doza vaksinash anti-Covid.
Kjo është ajo çfarë thotë zv/Ministrja e Shëndetësisë, prof.dr. Mira Rakacolli, ndërsa shpjegon se qeveria shqiptare ka parë e po sheh paralelisht disa mundësi për marrjen e vaksinës.
“Do të sigurojmë menjëherë rreth 20 përqind të nevojës që ka popullsia shqiptare për vaksinim prandaj kemi bërë pagesën për mbi 1 milion e 140 mijë doza. Por nuk jemi ndalur vetëm COVAX dhe kemi bërë tratativa edhe me vende të BE, jo vetëm përmes mekanizmit të BE drejtpërdrejt, por edhe me vende të BE, për të përfituar nga dozat që do të marrin ata nga BE, sepse vende që janë sot anëtarë të BE e marrin të gjithë në të njëjtën kohë, në bazë të marrëveshjeve që kanë. Njëkohësisht kemi bërë tratativa për të marrë vaksina edhe drejtpërdrejt nga kompanitë farmaceutike, si: Pfizer apo Moderna.”, thotë Rakacolli, ndërsa pohon se COVAX është në tratativa me këto kompani për t’i përfshirë në portofolin e tyre dhe perspektiva e marrjes së vaksinës është shumë e mirë për Shqipërinë.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama, bëri me dije për shqiptarët, pikërisht në ditën e parë të këtij viti, se shumë shpejt, në Shqipëri do të vijnë 500 mijë dozat e para nga Pfizer.
Sipas Rakacollit qeveria shqiptare po ndjek të njëjtën praktikë si vendet e tjera të Europës dhe Ballkanit Perëndimor përsa i përket vaksinimit.
“Ne jemi pjesë e aleancës COVAX, të udhëhequr nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku bëjnë pjesë rreth 180 vende, një pjesë e të cilave janë vende me vetëfinancim, që i paguajnë vetë paratë dhe disa të tjerë, vende, pagesa e të cilave kryhet nga COVAX. Ne kemi bërë pagesën e plotë dhe kemi arritur ta bëjmë në kohë e të jemi në dritaren e parë. Në momentin që një nga vaksinat merr certifikatën nga agjencitë prestigjioze farmaceutike e marrim menjëherë me të gjithë vendet e tjera”, thekson prof.dr. Rakacolli.
Ajo shton se sigurisht, nuk mund të vaksinohet gjithë popullsia menjëherë dhe është përcaktuar një strategji vaksinimi ashtu si në të gjithë botën.
Kështu, fillimisht do të vaksinohen personat më në risk: personeli shëndetësor dhe subjektet e shërbimit, si: mësuesët, punonjësit e policisë, të moshuarit dhe të sëmurët kronikë.
Pasaporta e Covid
Zv/Ministrja e Shëndetësisë flet edhe për të ashtuquajturën pasaportë COVID, për mënyrën e lëshimit të saj dhe nëse do të ndikojë diçka e tillë në lëvizjen e njerëzve në vendin tonë.
“Në Shqipëri nuk kemi diskutuar ende. Kjo varet nga politikat që do të vendosin shtetet. Deri tani nuk ka një qasje të përbashkët të shteteve. Vende të ndryshme do të ndjekin politika të ndryshme. Por ajo çfarë mund të themi është se vaksinimi nuk është i detyruar dhe do të jetë falas.”
Testet e shpejta
Prof.dr. Mira Rakacolli flet edhe për testet e shpejta apo testet anti-gen, ndërsa shpjegon se përdorimi i tyre në situatën aktuale epidemiologjike ku ndodhet Shqipëria, ku transmetimi është komunitar, është jashtëzakonisht i mirë.
Ajo vëren se megjithatë duhet të kemi parsysh se testi i shpejtë ndryshon nga testi PCR apo tamponi, që njihet ndryshe si testi “golden standard”.
“Pozitiviteti i testit PCR ka të bëjë me zbulimin e materialit gjenetik të virusit ndërsa testet e shpejta kanë një bazë tjetër biologjike, atë të gjetjes së antigenit, që në kushtet e trasmetimit komunitar është tërësisht i besueshëm. Por testet e shpejta me target të caktuar janë të besueshme kur merren maksimumi brenda pesë ditëve nga fillimi i shenjave, ndryshe nuk mund të kesh besim të plotë”, tha ajo.