Lufta në Ukrainë po shkon përtej kufijve të saj dhe mbrëmë ra në territorin e NATO-s. Një shpërthim u shënua në fshatin polak Przewodov, disa kilometra larg kufirit me Ukrainën, ku vrau dy persona, kjo duke rritur tensionet në qiell.
“Një hetim është duke vazhduar në vend, është e mundur që hetime të mëtejshme do të kryhen me pranimin e forcave aleate. Ne e dimë shumë mirë se ka pasur një sulm me raketa ruse në Ukrainë gjatë gjithë ditës, por nuk kemi prova përfundimtare të kush e gjuajti atë raketë. Me shumë mundësi ishte prodhim rus”,-tha presidenti polak Andrzej Duda për mediat.
Akuzat e ndërsjella ndodhën menjëherë midis Kievit dhe Moskës. Sipas disa indikacioneve, raketa që goditi një fshat në Poloninë lindore ishte një raketë kundërajrore nga Ukraina. Presidenti amerikan Joe Biden u tha kështu udhëheqësve të G7. Ai gjithashtu do të kishte specifikuar se ishte një raketë e sistemit S-300.