Për herë të parë qeveria ”Rama 4” ka përcaktuar për 2026 një buxhet të veçantë për të mbuluar barnat për të luftuar kancerin. Kryeministri Edi Rama në një dëgjesë me banorët e Njësinë nr. 5 në Tiranë, tha se buxheti për këtë qëllim do të vazhdojë çdo vit.
”Mund të duket si fantazi, por shumë gjëra më kanë ndodhur që kur i them mendojnë se është fantazi pastaj bëhen realitet. Edhe pse ka disa nga fantazitë që duan akoma kohë për tu bërë realitet. Ne kemi vendosur që në Shqipëri të ngremë Institutin Kombëtar për Tumoret. E kanë shumë vende, është një nivel ekselence për studimet dhe për trajtimin e kancerit”, nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën, kanceri ka filluar të bëhet si grip, rastet e shfaqjes së kancerit po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. ”Realisht nuk ka javë, ndonjëherë ndodh edhe 3 herë në javë që unë mos të marr një mesazh nga dikush që papritur në shtëpi i shfaqet në trupin e një të afërmi kanceri. Juve e keni ndjekur trajektoren e spitalit Onkologjik nga larg, keni ndjekur atë çfarë ndodhi para ca kohësh, ndiqni edhe përpjekjet e ulëta që bëhen për ta shfrytëzuar edhe kancerin për politikë, por ajo që është reale është përtej të gjithave përmirësimeve dhe transformimeve që janë bërë ne kemi një problem”, vijoi Rama.
Kryeministri nënvizoi edhe se problemi është real dhe nuk është se e kemi marrë vesh sot. ”Sot është koha kur nuk mundet më ta shtyjmë për shkak të vështirësive përkatëse, problemi i barnave, i mbulimit me barna të rimbursueshme të nevojës të pacientëve që kanë kancer, sepse janë barna që kushtojnë”.
