10 deputetë është objektivi për rekord që Edi Rama ka për socialistët në Fier. Gjatë një takimi ku prezantoi kandidatët për deputet, Rama u shpreh se PD dhe opozita nuk kanë asnjë shans përballë të majtës në këtë qark.
”Në Fier do thyejmë rekord në vota. Në Fier nuk ka shans askush tjetër, përpos PS. Ata nuk kanë çfarë të fitojnë. Kush nuk voton PS-në, hedh votën kot. Do jetë rezultat spektakolar. Objektivi ynë është minimumi 10 deputetë. Pastaj, nëse punojmë më fort, mund të kemi edhe më shumë se kaq deputetë në parlament”, tha Rama.
Nga ana tjetër u ndal te lista e kandidatëve të Partisë Demokratike, duke e cilësuar humbëse dhe u shpreh se Sali Berisha po përgatit fjalimin e disfatës për në 12 Maj. ”Ne nuk kemi bërë primare por ata nuk kishin Primare por papare. Ata që fituan i lanë jashtë. Kryetari i PD-së në Kavajë del i pari në qark dhe ata e lënë jashtë. Pse duhet atëherë demokratët të hedhin votën kot? Për një grup që thjesht funksionon si grup interesi i ngushtë që është përgatitur për të qëndruar në opozitë”.
Nuk vonoi shumë reagimi nga Gazment Bardhi, drejtues politik i PD-së në Fier. Për të lista e PS në këtë qark është si bunker ndaj SPAK-ut. ”Harroi t’u shpjegojë pse strehoi në listën e kandidatëve të PS “mallrat e importit të Belindës” Ceno Klosin apo Klevis Jahajn të akuzuar më shumë se një herë për korrupsion e abuzim me pushtetin në SPAK. Meqënëse harroi t’ua sqarojë, përgjigjen do e marrë më 11 Maj. Fieri dhe fierakët i përbuzin matrapazët, hajdutët dhe kandidatët për burg! Fieri dhe fierakët e përbuzin arrogancën”,-shkruan Bardhi!