Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ftesa ndaj liderit të PD-së, Lulzim Basha për bashkëpunim vazhdon të qëndrojë.
I ftuar në emisionin “Real Story” në News 24, Rama deklaroi se më 25 prill, PS do të fitojë 74 deri 78 mandate. O ashtu ai vijoi me sulmet ndaj Bashës duke thënë se ai nuk është lider, ka karakter të dobët dhe se është vënë në shërbim të projektit të Berishës.
“Akuzat e ngritura në Kavajë ishte kthim mbrapa, ishte dalje në origjinë. Ishte ilustrim i shprehjes ujku qimen e ndërron, por zakonin s’e harron. Lulzim Basha nuk është lider, se një lider nuk bën këto. Basha është një karakter i dobët, që është vënë në shërbim të projektit të Berishës.
Basha është midis Berishës dhe Metës. Kjo sepse nuk është rastësi që doli me Kryemadhin në Kombinat. Po, ftesa ime për bashkëpunim me Bashën qëndron, këto nuk përjashtojnë bashkëpunimin. Ne do të fitojmë zgjedhjet vetëm. Ne do të marrim 74 deri 78 mandate më 25 prill. Kaq mandate do të marrim, pavarësisht sesi duan ata. Shqiptarët duan që politika të tejkalojë vetveten. Kësaj do i vihem në dispozicion”, deklaroi Rama.