Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se falë investimeve të shumta, bregdeti i Lezhës do të kthehet në një nga bregdetet më të frekuentuar dhe me vlerë të shtuar të Mesdheut. Në një bashkëbisedim me përfaqësues të bizneseve në Tale (Lezhë) mbi nismat e qeverisë për të lehtësuar shërbimet ndaj tyre, Rama u ndal te projektet shumë ambicioze për zhvillimin e zonës së Lezhës.
“Në periudhën e dy viteve të fundit, sidomos posaçërisht vitin e fundit, ne po shohim projekte shumë ambicioze që po na vijnë për shqyrtim në Këshillin Kombëtar të Territorit nga kjo zonë dhe me iniciativën e njerëzve të këtyre territoreve”, tha Rama.
Kryeministri solli në vëmendje faktin se “pikërisht në këtë territor trashëguam një model zhvillimi të turizmit realisht shumë të prapambetur dhe problematik, që e sheh kur shkon në Shëngjin”. Ai nënvizoi se gara është për të sotmen dhe për të nesërmen e turizmit, është për cilësi, jo për sasi.
”Ne arritëm vjet në 12 milionë turistë. Kjo është një shifër që do të rritet ende. Nëse ne garën e bëjmë për sasinë, mund ta rrisim edhe shumë më tepër, por nuk na duhet kjo. Na duhet që këtë sasi ta mbajmë, por edhe ta fuqizojmë nga pikëpamja e vlerës që sjell në cilësi.
Ne kemi turizmin e masës si një bazë që duhet ta konsolidojmë, por duhet t’i vëmë sipër një shtresë tjetër, atë të cilësisë, ndaj jam i inkurajuar nga këto projekte që synojnë cilësinë”, shtoi Rama.
