Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur satirën për të komentuar zhvillimet në kampin opozitar përmes “serialit” “Bufi&Tiku drejt bashkimit”. Rama shfaq një bisedë imagjinare mes tre figurave politike Sali Berisha, Adriatik Lapaj dhe Lulzim Basha, duke ironizuar edhe kontratën 6 milionë dollarëshe të PD në SHBA.
Pjesë nga dialogu satirik:
Berisha: Hape dritëëëën…Gjashtë milionë dollar Lapaj! O sot o kurrë!
Lapaj: 6 milionë?! Po ku i gjete more ato lekë?
Berisha: Patriotët Lapaj patriotët… Si ka thënë Sherifi: Ti Shqipëri mos ki frikë se ke bijtë në Amerikë!
Lapaj: Po ça thua o doktor! Po mua mu shkundën xhepat e vjehrrit nëpër diasporë dhe nuk pashë një patriot që të japë një qindarkë për të bërë Shqipërinë, jo më 6 mln për të zhbërë non gratën ty!
Basha: Ka vjehrri ka Adriatik….po 7×7…? 6 milionë hë hë hë!
Lapaj; Nuk e besoj dot! Gjithë ato para…dhe ja ku jemi: Me një qiri si në mesjetë dhe non grata akoma non grata!
Berisha: Lapaj! Fokusohu tek dosja e zezë e narkoRamës dhe mos hyr në fushën e Sherifit! Një surprizë e madhe do vijë, një bombë, e kurdisur për çastin e duhur… Albanaaaaa…Dritën…
Lapaj: Doktor! Basha! Ku jeni?! Unë dua të dal…Boll! Dua të bëj Shqipërinë…Shqipëria bëhet, po me Ramën si i bëhet?! Duke ndenjur këtu? Jo jo, dua të dal.
Berisha: Durim Lapaj, durim! Dritat do të vijnë bashkë me heqjen e “non gratës” dhe ne do dalim kur narkoregjimi t’i ketë vjedhur votat sipas planit!
Basha: Po po prit, prit sa të vijë telefonata nga Amerika he he he.
Berisha: Pusho more hajvan. Po vjen Sherifi me siguri me lajmin madhështor! 6 milionë i bëjnë magji edhe magjistarit he he he….
