Në përfundim të samitit ndërqeveritar Shqipëri–Itali, kryeministri Edi Rama foli në konferencën e përbashkët me homologen italiane, Giorgia Meloni. Rama tha se Shqipëria është e gatshme të bëjë një marrëveshje me Bashkimin Evropian për të mos përdorur as veton dhe as votën në proceset e vendimmarrjes, duke theksuar marrëdhënien e ngushtë me Italinë.
“Ne jemi gati të bëjmë marrëveshje me BE për të mos përdorur as veton, as votën. Jemi gati të nënshkruajmë që të përfaqësohemi nga komisari italian. Do të ishte shumë për ne të kishim dy komisarë për të njëjtin vend, sepse ne jemi i njëjti vend”, u shpreh Rama. Po ashtu kryeministri shqiptar e cilësoi ditën si “historike” për marrëdhëniet mes dy vendeve, duke theksuar se për herë të parë qeveria shqiptare ulet me atë italiane për projekte konkrete.
“Unë do të vazhdoj të flas në italisht, sepse sot kemi provën shkencore që përveç qeverisë italiane, nuk ekziston një tjetër qeveri që mund të flasë 100 përqind italisht veç asaj shqiptare”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se marrëdhëniet me qeverinë italiane janë të veçanta dhe të mbushura me “dashuri e dëshirë për bashkëpunim”. Rama falënderoi ministrat italianë për mbështetjen dhe theksoi se falë bashkëpunimit me ministrinë italiane të Mbrojtjes, Shqipëria do të fuqizojë kapacitetet e saj të sigurisë, si edhe ato të përbashkëta me Italinë.
