”Plug and Play”, platforma globale e zhvillimit të talenteve të teknologjisë, ka hapur qendrën e saj te Piramida e Tiranës. Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij u ndal edhe te programi i qeverisë shqiptare për të pajisur me laboratorë inteligjentë të gjithë shkollat e vendit.
”Në të gjitha shkollat do të kemi brenda një periudhe 2-vjeçare laboratorët Smart. Ka filluar vendosja e tyre dhe në mënyrë të vazhdueshme vendosim fazën e parë. E kemi përmbyllur me AADF-në dhe për ata që nuk e dinë pse AADF-ja ka gjithë të akses, është se jemi midis nesh këtu, që të jemi transparent, është sepse qeveria dhe AADF-ja “janë pjesë e një grupi kriminal që ka bërë grabitjen e Butrintit””, tha Rama.
Falë investimit të deritanishëm në laboratorë “Smart”, mbi 35 mijë nxënës në arsimin fillor po mësojnë në këtë vit të ri shkollor përmes platformave interaktive. Numri i shkollave të pajisura me SmartLab-e në të gjithë vendin do të shkojë në 915, ndërsa numri i laboratorëve në 970.
Kjo do t’i bëjë nxënësit të aftë të përshtaten me kornizën e re kurrikulare të përmirësuar, që mbështetet gjerësisht te teknologjia për zhvillimin e procesit mësimor dhe më të përgatitur edhe përballë sfidave të tregut të punës, që kërkon profesionistë të zotë të pajisur me aftësi digjitale.