Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj zhvilluan një takim në kompaninë RITECH, një kompani model e zhvillimit të teknologjisë së informacionit me 300 të punësuar në Shqipëri dhe 200 në Kosovë e Maqedoni. Rama theksoi se 100% e të punësuarve në këtë kompani janë vajza e djem shqiptarë me një moshë mesatare rreth 30 vjeç dhe pagë mesatare 2500 euro.
Kryeministri theksoi se që ka ardhur koha që shteti të futet dhe të financojë në kompanitë që operojnë në fushën e teknologjisë dhe të përfitojë nga ato. Rama solli në vëmendje po ashtu edhe bisedën me Mira Muratin lidhur me përdorimin e Inteligjencës Artificiale për transpozimin e legjislacionit në kuadër të procesit të integrimit europian si dhe për prokurimet publike digjitale.
”Fola me Mira Muratin dhe i thashë: A është e mundur që të futemi edhe ne? Dhe më tha: ‘Patjetër, kam 3 shtete që më kanë bërë në advance ofertën për t’u futur një nivel financimi’. Ne duam të hyjmë në këtë lojë. Në rastin tonë me kompanitë tona. Me logjikën time është të bashkëpunojmë dhe të kemi një produkt që ju mund ta përdorni ku të doni. Ndërkohë, gjërat kanë ndryshuar dhe kemi edhe të gjithë këtë punën e qeverisjes së kësaj marrëdhënie”, tha Rama.
Duke folur për përdorimin e inteligjencës artificiale në procesin e integrimit me BE-në, Rama kujtoi se bëhet fjalë për mbi 250 mijë faqe materiale, për të cilat vendet e tjera kanë përdorur një “ushtri” me përkthyes. Rama tha po ashtu se i kishte kërkuar Mira Muratit bashkëpunim edhe për realizimin e prokurimeve publike me inteligjencë artificiale.
”Për prokurimet në momentin e parë të procedurave mund të ndodhi korrupsioni, prandaj ne kemi krijuar një sistem që nuk mund t’i hedhësh më në publik pa kaluar tek Agjencia e Prokurimit Publik. Por sërish janë manuale. Të gjitha kompanitë duhet të sjellin punonjës, kur 90% e asaj që kërkohet është ‘public relations””. Në përfundim kryeministri evidentoi edhe problemin që ekziston me adresat në Shqipëri, ndërsa shprehu bindjen se me këto start up-e mund të ndërtohet një sistem adresash komplet tjetër. “Ne kemi një problem kronik, shumë historik me adresat. Me këtë sistem mund të ndërtosh një sistem adresash që është komplet tjetër”, tha Rama.
Rama u ndal te disa prej projekteve të cilat po zhvillohen aktualisht me inteligjencë artificiale, ndërsa diskutoi edhe për shtrirjen e bashkëpunimit me kompaninë RITECH lidhur me aplikacionin për menaxhimin e parkingjeve. Kryeministri informoi mbi projektin “Smart City”, i cili financohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërkohë që bëri të ditur se aktualisht është ndërtuar Qendra e Monitorimit që do të hapet për pak ditë.