Në takimin që kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të hënë me drejtuesit e Pushtetit Vendor, lidhur me gatishmërinë dhe masat e emergjencave civile mbi situatën e zjarreve në këtë sezon veror, ka kritikuar kryebashkiaken e Durrësi, Emiriana Saka.
Duke folur për menaxhimin e situatën me vatrat e zjarrit, Rama i “tërhoqi” veshin Sakos.
“Ne jemi dhe një vend ekspertësh, me këtë numrin e ekspertëve që ne kemi duhet të na jepnin të gjithë seksionin e konsulencave që të asistonim BE për zgjidhjet e menjëhershëm. Biles ekspertë nga shtëpia, me celular ta japin zgjidhjen që thua si ka mundësi kaq e lehtë të jetë zgjidhja. Por gjërat janë pak më të ndërlikuara sesa duken. E lavdërova me të drejtë Durrësin për pastrimin por nuk mund të them të njëjtën gjë për organizimin për zjarret. Nuk kemi ça ti themi Beratit apo Fierit dhe ne të dy që jemi durrsakë të na i kalojë Berati dhe Fieri është e rëndë. Për ty është më e rëndë në fakt se unë i kam ca rrënjë në Berat dhe mbahem, por për ty që je 100%, nga moma dhe nga baba durrsak është çik e rëndë kjo”, tha Rama.
Rama paralajmëroi krerët e bashkive se të 28 mijë kilometrat e Shqipërisë rrezikon nga zjarret dhe muaji gusht do të jetë tepër sfidues, ndaj kërkoi të angazhohen maksimalisht në terren dhe mos të kërkojnë në çdo rast helikopterin nga ministria.