Duke folur në Konferencën Kombëtare të Antikorrupsionit për reformimin e sistemit të drejtësisë dhe ndëshkimin e figurave politike, kryeministri Edi Rama deklaroi se sot askush nuk ndihet i paprekshëm pavarësisht rangut politik.
Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë theksoi se vite më parë askujt nuk ia merrte mendja që edhe deputetët do të merreshin një ditë nën hetim dhe do të akuzoheshin nga një “prokurori tërësisht e ndarë nga politika”.
“Në asnjë shtet të botës, që nga shtetet më të zhvilluara, çështja e korrupsionit nuk është zgjidhur përfundimisht. Për të kuptuar që Shqipëri të ndahet shumë qartë nga një fazë kur korrupsioni ishte sistem i marrëdhënieve të qytetarëve të shtetit. Të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt fizik të drejtpërdrejtë. Sistemi ishte i kapur tërësisht i një drejtësi thellësisht të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe faktikisht të transformuar në një pazar ku e drejta shitej ose blihej. Për reformim e sistemit të drejtësisë do të ketë një panel të veçantë. Kush e mendonte pak vite më parë do të ndëshkoheshin nga drejtësia figura politike të rangut më të lartë? Kush do të mendonte se do të vinte dita se do të vinte dita që askush më nuk do të ndihej i paprekshëm?”, tha Rama.