Kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Abu Dabi. Kreu i qeverisë, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, deklaroi se do të finalizohet marrëveshja trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë.
“Përshëndetje nga Abu Dabi. Për pak do të vendosim një tjetër gur kilometrik, në rrugën tonë drejt pavarësisë energjetike. Së bashku me kryeministrin e Italisë, miken e shtrenjtë, Giorgia Meloni, me ftesë të presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, një tjetër mik, finalizojmë marrëveshjen trilaterale për lidhjen nënujore energjetike mes Shqipërisë dhe Italisë, si dhe rritjen e prodhimit të energjisë diellore në Shqipëri. Lidhja do të ketë pronësi të trefishtë. Kjo shkon edhe në funksion të ambicies sonë për t’u bërë të pavarur nga importi. Shqipëria është sot vendi me kapacitetin më të lartë të vetprodhuesve nga energjia diellore në rajon. Energjia e prodhuar nga dielli ka kaluar në zero përqind në afro 10 përqind të prodhimit tonë energjetik”, theksoi ai.