Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë ditën e sotme në forumin ekonomik botëror në Davos, Zvicër. Rama ka ndarë disa foto në rrjetet sociale ku shkruan se në fokus të diskutimeve ka qenë edhe sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë.
“Sot në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër, ku revolucioni digjital në Shqipëri dhe sulmi kibernetik ndaj Shqipërisë kanë zënë vend në axhendën tre ditore të debateve të larmishme të këtij forumi me prestigj të madh ndërkombëtar”, shkruan Rama.
Gjatë fjalës së tij në forum Rama deklaroi se sulmi kibernetik kishte për qëllim të fshinte sistemin tonë digjital dhe ta rikthenin Shqipërinë në epokën e letrës.
“Po luftojmë me kohën për të forcuar sa më shumë sigurinë kombëtare. Ne e dimë shumë mirë që kapaciteti i këtyre që bëjnë këto sulme është shumë i madh dhe unë nuk njoh një vend që nuk e ka përjetuar një gjë të tillë, ndonjëherë edhe me dëme të mëdha.
Të flasësh për përgjegjësi është shumë e lehtë por ne do ta adresojmë problemin në sofistikimin e mbrojtjes. Ne rezistuam shumë mirë mendoj në krahasim me targetin që kishin sulmuesit. Qëllimi i tyre ishte ta ‘fshinin’ totalisht sistemin tonë dixhital dhe të na rikthenin te ‘epoka e letrës’. Kjo nuk ndodhi dhe ne ia dolëm,” u shpreh kryeministri.