Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm, pensionet do të hyjnë në një fazë të re rritjeje të qëndrueshme, përtej indeksimit të zakonshëm vjetor.
Në konferencën e fundvitit me gazetarët, të mbajtur në ambientet e Kryeministrisë, Rama theksoi se indeksimi i pensioneve është realizuar që nga muaji tetor, por sipas tij, rritja e vërtetë dhe afatgjatë nis me hyrjen e vitit të ri.
“Duke filluar nga janari, pensionet do të rriten përtej indeksimit. Indeksimi nuk është rritje e pensionit në kuptimin për të cilin flasim, por është një mekanizëm që lidhet me çmimet. Ndërsa rritja që ne do të bëjmë do të jetë domethënëse, vit pas viti”, u shpreh Kryeministri Rama.
Ai bëri të ditur se kjo mbështetje do të jetë progresive dhe e planifikuar në mënyrë afatgjatë në financat publike, duke u shumëfishuar nga viti në vit.
“Me hyrjen e vitit të ri nis një rritje e qëndrueshme e pensioneve, e cila do të dyfishohet, trefishohet, katërfishohet, pesëfishohet vit pas viti. Kjo është e gjitha e parashikuar në planet financiare të qeverisë”, theksoi Rama.
Sipas Kryeministrit, pensioni urban me vite të plota pune do të rritet nga janari me 18 mijë lekë të vjetra në muaj. Kjo rritje do të dyfishohet në janarin e vitit 2027, do të trefishohet në janarin e 2028-ës dhe do të katërfishohet në janarin e vitit 2029.
“Kjo skemë vlen për të gjitha kategoritë e pensioneve” tha Rama.
Ndërkohë shtoi Kryeministri, pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj, pensioni rural me 1 mijë lekë në muaj, pensioni familjar me 700 lekë në muaj, ndërsa pensioni i invaliditetit do të rritet me 600 lekë në muaj.
