Kryeministri Edi Rama kërkoi sot nga Kreta votën e shqiptarëve më 11 maj për të bërë të mundur integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Në një takim me shqiptarët në Kretë në kuadër të turit të takimeve me diasporën, Rama u shpreh se “sot ka rënë në rrugën tonë rrezja e yllit të fatit europian”.
“Kjo rreze është për ne një detyrim i madh. Është për ne një mision që atë rreze të mos e lëmë të shuhet, por në dritën e asaj rrezeje ne të bëhemi bashkë më 11 maj dhe në vitet që kemi përpara të bëjmë të mundur që Shqipëria e kësaj dekade të jetë anëtare e BE-së”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, çdo shqiptar në Shqipëri, Greqi e Itali, Europë dhe kudo në botë duhet të marrë pasaportën europiane të shqiptarit.
“246 mijë shqiptarë të Europës dhe të botës janë regjistruar në zgjedhjet e 11 majit për t’i dhënë jetë një mundësie të madhe aktuale, më reale se asnjëherë tjetër, që Shqipëria më në fund të bashkohet njëherë e mirë me Europën duke u bërë pjesë e familjes së madhe të BE-së”, tha Rama.