Kryeministri Edi Rama njoftoi se studentë ekselentët nuk do të financohen më nga qeveria për të studiuar në universitetet më të mira jashtë vendit.
Në ceremoninë për dekorimin e studentëve, kreu i qeverisë deklaroi se studentët ekselentë do të pajisen me një bursë sa paga minimale dhe në përfundim të studimeve, do të jenë të detyruar që të punojnë për tre vite në Shqipëri.
“Ka pasur një program prej vitesh kur qeveria shqiptare e ka bërë me qëllim të mirë për të dhënë fonde për të financuar studimet e studentëve shqiptarë në një listë universitetesh në botë. Kemi financuar deri në 20 studentë çdo vit. Asnjëri nuk ka pasur mirësinë që t’ia kthejë këtij vendi investimin. Unë e kuptoj shumë mirë që të studiosh në ato universitete domethënë se direkt do të vijnë të të kërkojnë kompanie të mëdha duke të ofruar punë se kështu është kur je në majë. Por të firmosësh një marrëveshje për t’i marrë para nga taksat dhe të thuash do kthehem dhe të mos kthehesh por as të mos kujtohesh të bësh një letër dhe të vihesh në dispozicion në një mënyrë apo një tjetër. Kjo është e tepërt dhe boll. Ne nuk do të financojmë më studime jashtë. Ata si ju apo të tjerë dhe do bëjmë një financim duke dhënë një pagë minimale. Për çdo student të këtij niveli dhe sigurisht që tek Mjekësia, tek degët prioritare do fokusohemi. Nga 20 do financojmë mes 200 dhe 400 në varësi nga numri që kemi duke parë edhe mesataren si ka qenë. Askush që do hyjë në këtë sistem nuk do e marrë diplomën para tre vjetësh. Do punosh tre vjet këtu dhe pastaj do marrësh diplomën dhe je i lirë të rrish këtu apo të shkosh jashtë”, deklaroi Rama.