Shqipëria shpreson për hapjen zyrtare, në fund të qershorit, të negociatave të pranimit të vendit në Bashkimin Evropian, të cilat janë bllokuar për disa vjet.
Kryeministri shqiptar Edi Rama në një intervistë për televizionim “France 24” është treguar i kujdesshëm në deklarata, edhe pse mendon se Shqipëria duhet të marrë dritën jeshile nga Brukseli.
Siç shkruan televizioni i njohur Rama ka deklaruar se Shqipëria është përfshirë në një “betejë” për të reformuar sistemin e saj gjyqësor përballë korrupsionit, sipas tij një shenjë e ardhjes së një “demokracie funksionale”.
Rama ka vënë theksin tek reforma në drejtësi, si një nga çështjet më të rëndësishme tani për rrugën europiane të Shqipërisë, ndërsa është shprehur se Shqipëria do të ishte tashmë pjesë e Bashkimit Evropian, nëse nuk do të kishte probleme në nivelet drejtuese. Rama komentoi dënimin e ish-kryeprokurorit Llalla, të cilin e quajti si një sinjal të mirë për shtetin e së drejtës.
“Nëse Shqipëria nuk do të kishte probleme, sot do të ishim në BE. Prandaj ne kemi hyrë në këtë betejë për të reformuar drejtësinë. Nëse ish-kryeprokurori, dhe ish-personalitete të gjyqësorit dhe politikës dënohen është një sinjal i mirë për shtetin e të drejtës, prandaj ne vazhdojmë këtë proces negociatash, për të ndërtuar një shtet të së drejtës, një demokraci funksionale”, mbylli Rama fjalën e tij.
Përballë gazetares kreu i qeverisë ka folur për procesin e integrimit, përballjen me pandeminë, zgjedhjet, si dhe për luftën kundër korrupsionit.
Mes të tjerash kryeministri u ndal dhe tek zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa cilësoi se ato u njohën nga OSBE/ODHIR-i.
“Ne emi një raport nga OSBE/ODIHR që janë shumë të qartë për integritetin e fushatës dhe zgjedhjeve. Jam shumë i kënaqur që mu bë pyetja, se kam lexuar artikuj të pavërtetë edhe në Francë. Nuk janë të dhëna personale individuale që kanë dalë, por janë dhënë tek organizata e partisë, që nuk kanë lidhje me të dhënat personale. Së pari, të dhënat dhe regjistri i gjendjes civile në Shqipëri ka qenë publik në internet përgjatë viteve. Së dyti, numri i kartave të Identitetit, nuk është personal. Është një numër që tregon që këtë kartë e ka ky person në shërbimin civil, por nuk është e dhënë sensitive.” tha Rama.