Ministria e Ekonomisë dhe Financave synon të mbledhë taksa edhe nga individët që gjenerojnë të ardhura nga platformat e huaja të internetit dhe kjo pritet të ndodhë nga 1 Janari i vitit 2024.
Deri më sot kjo kategori i ka shpëtuar tatimit dhe këtu përfshihen personazhet që fitojnë nga TikTok-u apo influencerët që fitojnë nga Instagrami, Facebook, YouTube dhe Google. Blogerët e këtyre rrjeteve sociale në këtë mënyrë do t’u kërkohet të paguajnë tatimin mbi të ardhurat në masën 15%.
Në daljet në intervista televizive, personazhet e TikTok-ut, influencerat e rrjeteve sociale dhe blogerët përmendin shifra me mijëra euro nga të ardhurat prej rrjeteve sociale.
Po ashtu, do të tatohen edhe individët që lëshojnë pronat e tyre me qira ditore në platformat e prenotimeve si Booking dhe AirBNB, si dhe rishitësit apo reklamuesit, që paguhen nga platformat e tregtisë online si Amazon dhe Alibaba.
Plani për të identifikuar këta individë, sipas udhëzimit të ri të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, mbështetet mbi pagesat që këto kompani i bëjnë këtyre individëve përmes llogarive bankare.
