Kryeministri Edi Rama dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku ditën e sotme ndodheshin në Bulqizë, ku prezantuan projektin për Parkun Tematik Retro, “Divizioni”.
Kreu i qeverisë tha se ky projekt është shumë i veçantë në llojin e vet sepse jo vetëm do të bëjë transformimin e një territori që dikur i përkiste ushtrisë shqiptare, por do të krijojë një destinacion turistik të një lloji të veçantë.
“Do të krijohen kushtet për të mirëpritur artizanët e zonës, gra të cilat sot janë shëmbëlltyra të përpjekjes për të jetuar me punë të ndershme përmes kultivimit të traditës ushqimore të kësaj zone, të traditës artizanale të kësaj zone. Do të mikpresë edhe ata të cilët kultivojnë apo përpunojnë produkte, qoftë fermerët e tokave të punuara të zonës, qoftë edhe grumbulluesit dhe përpunuesit e bimëve medicinale, do të mikpresë familjet, të rinjtë, gjyshërit dhe fëmijët në të gjitha hapësirat. Sot mund të flasësh për turizëm dhe askush nuk çuditet më. Rruga e Arbit, po shkon drejt përfundimit”, deklaroi Rama.
Ky park, tha kreu i qeverisë, do të jetë rreth 35 minuta larg Tiranës. Ai shprehu bindjen se parku do të jetë zgjedhja e shumë familjave nga Tirana për të kaluar fundjavën, pasi në këtë park do të ketë shumë mundësi për fëmijët, për t’u argëtuar në natyrë. Nga ana tjetër, për Bulqizën, parku do të jetë një motor i ri ekonomie.
Nërsa ministrja e infrastrukturës, Belinda Balluku tha se ky projekt synon ta kthejë Bulqizën në një pikë turistike.
“Ky park i madh turistik do të quhet “Divizioni”. Shifrat e turistëve po rriten dita ditës. Edhe Bulqiza, e njohur si zonë minerare, do të kthehet në një nga pikat turistike të vendit. Kalova nga tuneli i Murrizit, një tunel, i cili është i derdhur i gjithi në hekur për shkak të gjeologjisë. Kam parë se sot kanë mbetur disa qindra metra për armatimin e gjithë këtij tuneli të hekurt”, theksoi Balluku.