Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit në Bruksel, zhvilloi një takim me Komisioneren për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos. Rama ndodhet në Bruksel në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ku temë kryesore pritet të jetë zgjerimi i BE-së.
Ky samit do të jetë rast për të diskutuar bashkëpunimin konkret në shumë fusha, prej asaj politike, të mbrojtjes dhe sigurisë, deri tek energjia. E gjithë kjo do t’u ndihmojë vendeve të rajonit që më shpejtë të bëhen gati për integrim në BE, duke forcuar në të njëjtën kohë edhe ekonomitë e tyre dhe duke rritur stabilitetin rajonal përmes zgjidhjes së mospajtimeve të tyre.
Rama ishte i pranishëm sot në Bruksel në nënshkrimin e Dokumentit të Partneritetit me Bashkimin Europian, mes Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas me ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vëngu.