Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se nga e hëna do të shpërndahet Bonusi i Pranverës për 730,430 pensionistë, brenda dhe jashtë vendit.
Në një postim në rrjetet sociale, Rama sqaron se ky bonus do të jetë i disponueshëm pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe në bankat e nivelit të dytë, duke ofruar një mbështetje të rëndësishme për ata që përfitojnë nga ky program.
“Bonusi i Pranverës, nga e hëna për 730,430 pensionistë (brenda a jashtë vendit), pranë çdo pike të Postës Shqiptare dhe bankave të nivelit të dytë”, shkruan kryeministri.
Më herët kryeministri ka njoftuar se, pensionistët që kanë një pension mujor deri në 200 euro do të përfitojnë një bonus prej 100 eurosh, ndërsa ata me pension mbi 200 euro do të marrin 50 euro. Ky program ka një fond prej 62 milionë eurosh.