Familja e futbollit shqiptar gjatë këtyre viteve është përpjekur shumë për të bërë hapa përpara dhe ia ka dalë të regjistrojë suksese të mëdha, madje historike.
Komuniteti europian i futbollit i besoi për të dytën herë një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s presidentit të FSHF Armand Duka, një arritje e madhe për futbollin shqiptar. 45 votat e marra, si asnjë anëtar tjetër që mori pjesë në garë, nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga kryeministri i vendit, Edi Rama.
Kreu i qeverisë e uroi publikisht Dukën për zgjedhjen e tij në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ndërkohë që shprehu hapur mbështetjen për të qenë krah FSHF për organizimin e një tjetër eventi të rëndësishëm, si finalet e një kampionati europian për moshat.
“Po shfrytëzoj këtë moment për të uruar presidentin e FSHF Armand Duka për zgjedhjen e tij për herë të dytë në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s. Nuk është e rastit dhe është nder për Shqipërinë që të jetë pjesë e vendimmarrjes në qeverisjen e futbollit”, tha Rama gjatë ceremonisë së përzgjedhjes së projektit të stadiumit të ri të Korçës, që u lançua në janar të këtij viti.