Nga Osman Xhili
Shumbati, një nga fshatrat e komunës së Sllovës në Dibër,
dikur ishte pjesë e ndërmarrjes bujqësore dhe shquhej për frutikulturë, sidomos
për kumbullën. Aq shumë i kishte dalë nami kumbullës tropojane të prodhuar në
Shumbat, saqë dhe tregu gjerman e përthithte të gjithën, pa asnjë ngurrim.
Drejtorët e dikurshëm të N. B.së, Jovan Popi, Hajdar Gjapi, dhe Idajet Lahi,
krenoheshin me këto vlera të kumbullës, por dhe cilësinë e frutave të tjerë, në
përgjithsi. Toka e kuqe, as aluvionale, as torfike, e pasur me potas, kishte
mjaft ndikim në sasinë e sheqerit te fruti dhe cilësitë e tjera organoleptike.
Në vitin 1993, kur N.B.ja u shkatërrua dhe gjithsecili mori tokën që kishte
pasur, Ramazan Kaza, me kushërinjtë e tij bëri të njëjtën gjë. Kjo sasi toke
nuk ishte pak, por 25 hektarë. Në këtë sipërfaqe gjendeshin 1700 rrënjë
kumbulla tropojane dhe mbi 200 arra. Në fillim menduan ta menaxhojnë, ashtu së
bashku, duke krijuar ndoshta të parin kooperim në Shqipëri, pas ardhjes së
demokracisë. Më vonë,një pjesë toke e ndanë, por kooperuan shërbimet dhe
shitjet, duke vazhduar në këtë formë dhe sot e kësaj dite.
Vetëm Ramazani ka sot 500 rrënjë kumbulla,apo 16 dynymë, ku përveç asaj
tropojane, ka shtuar kultivarët Shuker, Stanley dhe Dente 707. Pas viteve 2000
mbolli dhe 200 rrënjë qershi, në një sipërfaqe prej 12 dynymësh, të llojit
Sumit, mjaft rezistente dhe e pëlqyer nga tregu. Në total, sipërfaqja e mbjellë
me drufrutorë është rreth tre hektarë. Vetëm këtë vit ai prodhoi 200 kuintalë
kumbull dhe 180 kuintalë me qershi.
Linja e përpunimit të kumbullës
Për vite me radhë Ramazani, bashkë me kushërinjtë e kërkuan tregun e kumbullës në Dibër, në Kukës dhe në Tiranë. Vështirësitë e hasura e bënë të mendojë për një alternativë të re. Vendosi të ngrejë një linjë përpunimi të frutave të thata, që do ishte e para e këtij lloji, jo vetëm në Dibër, por dhe në Shqipëri. Kështu, në vitin 2008, Ramazani përuroi linjën e re me emrin “Kaza frut Dibër”. Nuk ishte vetëm ideja e tij për linjën e ngritur, por dhe si rezultat i studimit dhe bashkëpunimit me S.N.V.në dhe drejtorinë e bujqësisë Dibër. Frutat vinin nga fusha, seleksionoheshin, futeshin në tava dhe më pas kalonin në furrën e tharjes. Aty qëndronin për gati 30 orë, ftohen pak, kalojnë në linjën e larjes, terren, u hiqet një pjesë e lagështisë, seleksionohen e së fundmi ambalazhohen në paketime 200 gram, 500 gram dhe gjashtë kilogram. Kjo linjë përpunimi nuk i ka shërbyer vetëm Ramazanit, por dhe fermerëve të tjerë, pasi në të janë përpunuar këtë vit 500 kuintalë kumbull e freskët. Raporti i kumbullës së freskët me atë të përpunuar është katër me një dhe prodhimi është shumë cilësor. Tregu është pak i vakët, si për shumë prodhime të tjera dhe kjo vështirësohet nga futja e produkteve ilegale nga Mali i Zi dhe Maqedonia. Vitin e kaluar fermeri e ka certifikuar produktin dhe në arenën ndërkombëtare nga Global Gab, duke qenë i vetmi për kumbullën në Dibër dhe nga të paktët në Shqipëri. Ramazani tregon se ka pasur mjaft vështirësi në punën e tij, ulje dhe ngritje, duke u shprehur se kam mësuar duke pësuar.
Drejtues dhe eksperimentues i guximshëm.
Në vitet 2007 – 2011, Ramazan Kaza zgjidhet si kryetar i
komunës së Sllovës, ku përfshihej dhe fshati i tij, Shumbati. Kur merr përsipër
përgjegjësi, duhet të kesh vizion, ndërgjegje dhe përkushtim për të drejtuar,
thotë ish kryetari. Atij nuk i mungonin këto, pasi kishte udhëhequr fermën e
tij përmes shumë sakrificave. Atëherë bënim shumë shërbime për popullatën,
tregon Ramazani, gjëra që sot janë në minimum. Në punën e tij në drejtimin e
komunës, ai shihte si parësore përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe
ujore. Në atë kohë u ndërtua kanali Sllovë – Palaman – Trojak, që u shërbente
mjaft këtyre fshatrave dhe sot nuk është funksional për detaje fare të vogla.
Po kështu u ndërtua kanali vaditës për fshatin e Sllatinës, që kishte qenë një
ëndërr e vjetër e banorëve të këtij fshati. Falë realizimit të këtyre
projekteve, u shtua ndjeshëm sipërfaqja nën ujë dhe për pasojë prodhimi dhe të
ardhurat tek fermerët e zonës. Në të dy kanalet e përmendura komuna kishte qenë
jo vetëm e interesuar në zbatimin e projektit, por dhe bashkfinancuese e tij me
një vlerë jo të vogël.
Një kujdes i veçantë i qe kushtuar arsimit, si shtyllë e rëndësishme në
edukimin e njeriut me dije shkencore dhe edukatë. Gjatë kësaj kohe u ndërtuan
tre shkolla të ciklit të ulët dhe u rikonstruktuan dy shkolla të tjera. U
nxitën dhe u stimuluan mbjelljet e reja në frutikulturë, për të shtuar të
ardhurat e fermerit. Ramazani u përpoq t’ju shërbejë sa më mirë njerëzve që e
patën zgjedhur, duke u dhënë atyre prej vetes dhe duke marrë prej tyre mësime
që do ti shërbenin gjithë jetën.
Ramazani u ngjan atyre gurëve të diamantit që në çdo anë që t’i kthesh, të
japin një refleks dhe shkëlqim të ri. Ka 20 vite që ai është kryetar i ADAD
malore, një shoqatë që ka në fokus zhvillimin bujqësor të zonave malore, me
ndihmën dhe bashkpunimin e qeverisë franceze. Në këtë moment hapet një kapitull
i ri për të, duke u specializuar në prodhimin e farës elitë të grurit të
gjeneracioneve më të mira me origjinë franceze. Çdo vit ai mbjell nga 18 deri
në 25 hektarë grurë, duke marrë tokën me qera, duke u bërë një shërbim të çmuar
dhe fermerëve të tjerë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore janë futur prej tij,
për herë të parë 33 lloje gruri, të fortë dhe të butë në Dibër, Shkodër, Korçë
dhe Lushnje. Këto kultivarë janë të çertifikuar nga Enti shtetëror për farëra
dhe fidana.
Sot ai ka marrëdhënie mbi bazë kontratash me dy kompani të fuqishme franceze,
të specializuara në këtë drejtim, Francë, Lima Grain dhe Florimont Despress,
duke marrë prej tyre gjeneracione të larta për riprodhim fare. Nga gjithë ajo
mori kultivarësh, dy prej tyre bëjnë diferencën, llojet Apache dhe Soissons.
Potenciali i lartë prodhues, rezistenca ndaj faktorëve negativë dhe cilësia e
lartë e bukës së prodhuar prej tyre, i bëjnë ato ndër më të kërkuarit në treg.
Por, ashtu si për kulturat e tjera drufrutore dhe për grurin e bimët e tjera të
arave, duhet të jetë e pranishme ndihma e shtetit, të ketë subvencione, në
mënyrë që të prodhojmë e të hamë sa më bio dhe të mos konsumojmë mbeturinat e
Europës dhe botës.
Duke qenë kryetar i ADAD malore, Ramazani gëzonte dhe statusin e anëtarit të
shoqatës së bujqësisë për zhvillimin e Mesdheut, ARBOMED, duke marrë pjesë në
disa takime ndërkombëtare. Në nëntor të vitit 2017, ka përfaqësuar Shqipërinë
për herë të parë në Kongresin ndërkombëtar të bujqësisë, të mbajtur në Francë.
Urojmë dhe shpresojmë që Dibra të ketë sa më shumë fermerë të tillë, që dinë të
punojnë për veten e tyre, për familjet e tyre, duke i bërë nder dhe respekt
gjithë shoqërisë dhe komunitetit që i rrethon.