Dy janë rastet, në të cilat strukturat përgjegjëse të sigurimeve shoqërore mund të marrin një vendim për ndryshimin e masës së pensionit që i takon përfituesit. Së pari bëhet fjalë për rastet kur vetë pensionisti paraqet kërkesën për rritjen e masës së pensionit, të cilën duhet edhe ta shoqërojë me dokumentacionin përkatës që konfirmon shtesën që duhet t’i bëhet masës së mëparshme të pensionit. Ndërkohë që vendimi për ndryshimin e masës së pensionit mund të bëhet edhe në mungesë të kërkesës së paraqitur nga pensionisti. Vetë organet e sigurimeve shoqërore mund të bëjnë ndryshimin e pensionit për të gjitha situatat në të cilat konstatohet se përllogaritjet e caktimit të masës së pensionit janë bërë gabim, si dhe kur aplikohen rritje të miratuara nga qeveria.
Për të përfituar të gjitha llojet e pensioneve të pleqërisë, që parashikohen në ligj, çdo person që është në prag të mbushjes së moshës së daljes në pension dhe që ka vjetërsinë e duhur të punës fillimisht, duhet të paraqesë kërkesë paraprake me shkrim pranë agjencisë lokale të sigurimeve shoqërore. Gjithashtu plotësimi i kërkesës paraprake për dalje në pension mund të bëhet edhe online në portalin e-albania.
Të gjithë personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie kur të arrijnë moshën e përcaktuar në nenin 92, ligjit për sigurimet shoqërore. Ndërsa nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë, të cilët janë rritur më shumë se 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet sigurim. Personat e siguruar kanë të drejtë për pension pleqërie të reduktuar, deri tre vjet para mbushjes së moshës së daljes në pension kur kanë plotësuar vitet e sigurimit dhe nuk kryejnë veprimtari ekonomike si të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar. Duhet të dini që pensioni i reduktuar është pjesë e pensionit të plotë dhe mbetet i reduktuar gjatë gjithë kohës së përfitimit. Ky pension llogaritet duke zbritur nga pensioni i plotë shumën që del nga shumëzimi i numrit të muajve të përfitimit të pensionit, para mbushjes së moshës së përcaktuar në nenin 92, me koeficientin mujor të reduktimit. Koeficienti i reduktimit të pensionit të plotë të pleqërisë, për personat që plotësojnë kushtet e parashikuara në paragrafin e parë, të këtij neni, është 0,6 për qind në muaj.
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1 për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, e llogaritur sipas nenit 59, të ligjit për sigurimet shoqërore. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social.
Sipas kushteve të përcaktuara në ligjin përkatës të sigurimeve, çdo person i siguruar që ka plotësuar kushtet për pension pleqërie merr shtesë në masën 0,5 për qind të pensionit për çdo muaj që shtyn datën e daljes në pension dhe vazhdon të paguajë kontribute. Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerjeje. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerjes.
Pensioni social, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, familjare, si edhe të ardhurat nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale indeksohen çdo vit për të kompensuar pasojat e ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve. Këshilli i Ministrave cakton listën e mallrave të zgjedhura, mbi të cilën llogaritet indeksi, metodën e llogaritjes dhe datën e indeksimit.
Dokumentacioni i detyrueshëm për të përfituar pension pleqërie,
Dokumenti Institucioni që e lëshon
1 Fotokopje e Kartës së identitetit Vetë personi
2 Certifikatë familjare Portali e-Albania, DRSSH
3 Certifikatë martese (kur ka ndryshim mbiemri) Zyra e Gjendjes Civile
4 Deklaratë për vitet e punës Vetë personi
5 Librezë pune Vetë personi
6 Librezë kontributesh Vetë personi
7 Vërtetim për Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak, për meshkujt Qendra e Personel Rekrutimit
8 Diploma e shkollës së lartë (e detyrueshme vetëm për femrat) Shkolla e Lartë.
Dokumentacioni shtesë në rastet e mungesës së Librezës së punës dhe asaj të Kontributeve:
1 Vërtetim nga Qendra e punës për periudhat e punës- Qendra e Punës
2 Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në vitin 2011- Qendra e Punës
3 Vërtetim page, sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 2012 deri në momentin e lënies së punës- Portali e-Albania, DRSSH
4 Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë)- Zyra e Punës
5 Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë- Gjykata
6 Mandat-pagesat për derdhjen e kontributeve- Vetë personi
7 Vërtetim për Pagesën kalimtare (si ushtarak)- Qendra e Punës