Kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla thotë se përshëndet nisjen e hetimeve të SPAK për rastin e kryebashkiakut të Bulqizës, Lefter Alla. Ai thotë se nëse del fajtor duhet të marrë dënimin maksimal.
“Sapo të ketë akuza, reagimi ynë do të jetë i ashpër”, ka thënë Balla për gazetarët. Partia Socialiste vijoi ai nuk merr askënd në mbrojtje duke inkurajuar organet kompetente të bëjnë detyrën.
“Dënimi të jetë i ashpër, dënimin nuk e bëjnë partitë po drejtësia. Unë po them që në çdo rast të bëjë detyrën e vet. Dhe nëse nuk rezulton të jetë e vërtetë zotëria ka gjithë hapësirën t’i drejtohet drejtësisë për pjesën civile. Nëse kjo është e vërtetë apo persona të tjerë janë përfshirë, sepse në fund të fundit nuk është vetëm ai që e konsumon po dhe ata që e shesin që duhet të përballen me drejtësinë”, tha Balla.
I pyetur për kryebashkiakët e larguar tashmë nga detyra dhe bashkive pa kryetar, Balla tha se është kompetencë vetëm e Presidentit.
“Kompetencë veçse e Presidentit të Republikës që në mënyrë të pakuptimtë prej fundgushtit të vitit 2019 i informuar nga prefekti i Shkodrës sipas ligjit brenda 48 orëve të dekretonte brenda 30 ditëve datën e zgjedhjeve në Shkodër. E njëjta situatë dhe në raste të tjera. Shpresoj që presidenti të gjejë momentin për të reflektuar dhe sipas legjislacionit të përcaktuar në kodin zgjedhor të dekretojë datat e zgjedhjeve në 3 bashkitë me kryetarë të larguar apo vakanca të krijuara”, tha Balla.