Partia Demokratike ka vijuar me akuzat për kryebashkiakune Vorës Agim Kajmaku. Në një konferencë për mediat, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi tha se ai ka qenë i dënuar në Janinë dhe se po bëhen makinacione të pista për ta shpëtuar.
“Edi Rama hesht megjithëse ka marrë informacion të plotë se Agim Kajmaku alias Jorgo Toto, ka mashtruar me Formularin e Dekriminalizimit, sepse është një person me precedent penal dhe sipas ligjit nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik përfshirë atë të Kryetarit të Bashkisë”, tha ai.
Sipas Bardhit, “Edi Rama vazhdon të bëjë sikur nuk dëgjon dhe nuk shikon që kandidatët që u ofroi shqiptarëve më 30 Qershor, janë kontingjent burgjesh dhe, njësoj si ai vetë, janë përfaqësues të padenjë për një shoqëri që kërkon të zhvillojë vlerat dhe standardet europiane”.
Bardhi tha se Kajmaku ka llogari të hapura me policinë greke dhe se duhet të japë dorëheqjen menjëherë.
PD publikon dokumentet për arrestimin në Greqi të Agim Kajmakut. Sipas këtyre dokumenteve, ai po bënte biznes fidanësh me para të falsifikuara, krim që dënohet më 10 vjet burg.