Gjatë punës sime shumëvjeçare në media më ka rastisur të shkruaj lajme e të realizoj kronika të shumta. Por, nga mendja nuk më shqitet intervista me gazetarin Bardhok Lala. Vetëm një herë e kam takuar, katër a pesë vite pas botimit të intervistës.
Në maj të vitit 2003, kryeredaktori i “Zëri i Popullit”, Erion Braçe më porosit të bëj të pamundurën dhe të intevistoj gazetarin Bardhok Lala. Banon në Lezhë, tha “shefi”, dhe po shpenzove shumë para me celularë apo për udhëtimin do t’i paguajë redaksia. Pyeta fillimisht njerëz të njohur në Lezhë sesi mund të komunikoj me Bardhok Lalën. Dikush më tha se: “ai nuk është mirë që në majin e vitit 1996 dhe do ta keshë të vështirë të flasësh me të”. Një tjetër ma preu shkurt: “banon në fshat e nuk shihet në qytet”.
Këmbëngula fort dhe një zyrtar i lartë i Policisë së qarkut më gjen numrin e celularit të gazetarit Bardhok Lala. Kur kujtoj rrëfimin e gazetarit Bardhok Lala drithërohem i tëri dhe në mendje më vijnë disa nga ngjarjet që më kanë ndodhur dhe mua, për shkak të profesionit. Sapo e telefonova dhe iu prezantova, Badhoku pranoi të flasë për gazetën e PS-së. Nga ana tjetër e telefonit vinte një zë i mekur dhe i butë. “Nuk kam aspak frikë të të tregoj dhe ju të publikoni atë çfarë më ka ndodhur në majin e vitit 1996”-tha gazetari pa iu dridhur zëri.
“Tani jam mirë me shëndet, por nuk mund të harroj ngjarjen e rëndë të 28 majit 1996. Atë ngjarje e kanë botuar të gjitha mediat. Unë i kam falenderuar dhe i falenderoj të gjithë kolegët që m’u gjendën pranë në ato momente kritike për jetën. Departamenti i Shtetit Amerikan dhe Këshilli i Evropës kanë mbajtur një rezolutë për “Rastin Lala”. Ata, e vlerësuan rastin më kriminal në vendet e Evropës postkomuniste”. Pra, ndryshe nga shumë raste të tjera kur gazetarët janë dhunuar, “Rasti Lala” ishte ndërkombtarizuar. Dhe kjo nuk ishte pak.
Djali i lindur në Pukë, por me origjinë nga Mirdita, ka punuar afro tre vjet për gazetën e pavarur “Koha Jonë”. Më pastaj si shumë familje të trevës së veriut dhe familja Lala u vendos në Durrës. Prej këtu Bardhok Lala vijoi bashkëpunimin me gazetën e tij të preferuar. “Tre-katër muaj para zgjedhjeve politike të majit 1996 kalova tek gazeta “Dita Informacion”, tregon Lala. Ishte një gazetë e përjavshme që më vonë u bë e përditshme. Ndihmoja dhe gazetën “Populli Po”. Ajo ishte në prag të falimentimit dhe kishte nevojë për ndihmë. Unë, sqaron Bardhok Lala, kisha shumë probleme me njerëzit e politikës (atyre në pushtet), me Policinë, SHIK-un, etj. Kur punoja në Pukë, Mirditë, Kurbin e Lezhë vazhdimisht kisha prapa punonjës të SHIK-ut. Këtë e kisha konstatuar, por nuk kisha mënyrë për t’ju shmangur atyre”.
Vetëm 24 vjeç ishte gazetari që e ndiqnin këmba-këmbës vetëm për shkak të profesionit të tij. Pas mbërritjes në Tiranë ai ka menduar se nuk e njihnin dhe se nuk do të ndiqej për shkak të lajmeve që do të botonte. “Më 8 prill 1996, rrëfen gazetari, unë analizova deklaratën e Presidentit të asaj kohe, Sali Berisha se: “Nëse nuk do t’i fitojmë zgjedhjet politike të 26 majit 1996 do të jap dorëheqjen”. Pas kësaj ai thotë se ka faktuar korrupsionin e asaj kohe dhe kontrabandën e naftës Shqipëri-Serbi”. Puna në gazetari dhe lidhjet me kolegë të tjerë e informojnë Bardhok Lalën se duhet të “siguronte kokën” se “kohë të vështira” dukeshin në horizont.
Në kujtesën e gazetarit të vendosur dhe kosekuent kanë mbetur përpjekjet e ish SHIK-ut për të rekrutuar sa më shumë njerëz, madje dhe politikanë dhe gazetarë të njohur. “Kërkohej rekrutimi i Frrok Çupit, Ndre Legisit, Arben Imamit, etj, tregon Bardhok Lala. Ndre Legisin, SHIK-u dhe partia në pushtet kërkonin ta etiketonin si ish bashkëpunëtor të ish sigurimit të shtetit. Kjo nuk ishte aspak e vërtetë dhe 10 ditë para zgjedhjeve të 26 majit e sqarova me fakte se në Mirditë kishte disa persona me emrin dhe mbiemrin Ndre Legisi dhe Ndre Legisi që kandidonte për deputet nuk kishte qenë kurrë bashkëpunëtor i sigurimit famëkeq”.
Uniformat blu të Komisariatit 1 në Tiranë ishin bërë tmerri i qytetarëve. Këtë frikë e panik e përjetonte dhe gazetari nga trevat e Veriut të vendit. Më 26 maj ai kishte ndjekur konferencat e herëpashershme të ish kryetarit të PDSH-së, Dritan Shehu i cili deklaronte se fitorja e PD-së në këto zgjedhje do të ishte më e thellë se ajo e 22 marsit 1992. Megjithëse ai ndiqte konferencat së bashku me kryeredaktorin, Apollon Baçe në njërën prej tyre merr guximin dhe e pyet liderin e partisë në pushtet: “Më 22 mars 1992 keni fituar 67 përqind, po sot mos do të fitoni 99 përqind”. Kaq është dashur që gazetari Bardhok Lala të “futet në rreth”.
Të nesërmen, pra me 27 maj 1996, kujton Lala, dolën vetëm dy gazeta. “Dita Informacion” hapet me lajmin: “PS sot në shesh”, ndërkohë “Albania” e asaj date doli në mbrojtje të PD-së. Duke sjellë në mendje ngjarjet e 28 majit në “Sheshin Skënderbej”, Bardhok Lala përsërit fjalët: “Unë atë ditë rilinda për së dyti”.
Në kujtimet e tij ai ruan: “Atë ditë u vesha më mirë nga ditët e tjera. Piva kafen e mëngjesit, kalova nga selia e PDK-së dhe vajta deri tek ajo e AD-së. Në mëngjes nuk kishte shumë njerëz. Ishte kohë e vërejtur dhe binte një shi i imët. Qëndrova tek shkallët ku ka qenë montuar shtatorja e diktatorit. Rrija aty për të parë çfarë do të ndodhte në shesh. Dallova liderët e opozitës që bënin të pamundurën për t’u mbledhur në “Sheshin Skënderbej”. Nga godina e “Zërit” dalloja Halil Lalajn dhe disa kolegë të tij. Tek oborri i 15 katëshit ishin tubuar të tjera figura të njohura të opozitës së atëhershme. Sheshi ishte rrethuar me gardhe policësh. Ish bashkëshortja e Nanos, Rexhina, nuk lejohej nga policie të futej në selinë e PSSH-së”. Vazhdimisht pranë gazetarit Lala ka qëndruar një burrë afro të 60-ave. Fillimisht gazetari ka menduar se ishte punonjës i SHIK-ut, por shpejt është bindur se ai ishte një gazetar amerikan dhe kishte njohje për Bardhok Lalën dhe dëshironte të mos i ndodhte gjë atij.
Sapo Lala dhe gazetari i SNN i janë afruar sheshit, një benz luksoz i ka ndaluar tek këmbët, për të nisur më pastaj kalvari i vuajtjeve e turturave çnjerëzore. “Kush jeni ju, e kanë pyetur 24 vjeçarin. Quhem Bardhok Lala, është përgjigjur ai. Dy nga agjentët e SHIK-ut dolën nga makina dhe forcërisht më futën brenda saj. Njëri nga ata u largua dhe udhëtimi vazhdoi me shoferin e makinës dhe njërin nga SHIK-asit. E pashë veten në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Më regjistruan. Në katin e parë të godinës më ulën në një karrike. Isha mjaft i tronditur. Dalloja dhe punonjës policie që dridheshin e nuk kuptonin çfarë do të ngjante më vonë. M’u desh një shkrepëse dhe një polic trupmadh ma dha tinëz atë. Brenda një gjysëm ore më shumë se 40 vetë mbushën qelitë e policisë. Korridori u mbush me gjak sikur të ishte një thertore bagëtish. Në këto momente frika m’u shtua. Pyesja veten: Po me njerëzit në “Sheshin Skënderbej” çfarë po ndodhte? Të gjitha materialet e punës m’i konfiskuan.
Rreth orës 10.30 dalloj 6 persona civilë që sollën një njeri dhe e hodhën si thes mielli. E mbajtën për pak kohë në katin e dytë dhe më pastaj e hodhën në katin e parë, pikërisht pranë këmbëve të mija. U trondita akoma më shumë. Kujtova se do të jetë i vdekur dhe do t’ma faturonin mua. Me shumë kujdes dhe pa rënë në sy e rrutullova dhe dallova se ishte Arben Imami. Dy dhëmbë i ishin thyer dhe ishte gjakosur keq. Prisha 2-3 cigare dhe u përpoqa t’i ndaloja gjakun, por ishte e pamundur. Pas afro çerek ore u përmend dhe thoshte: Do t’na vrasin. Mos ki frikë i thoshja, tregon Bardhok Lala atë ditë të zezë. I thanë të dilte jashtë por nuk pranonte. Kërkonte një dokument se ishte rrahur nga policia.
Ora vajti 11.30 dhe sytë e mi u mbushën me lot. Dil jashtë më thanë. Më vinte inat pse ma bënë kështu! Kërkova materialet e punës, çantën, diktofonin, kartën e gazetarit dhe mjetet e tjera. Por përgjigja ishte: Ik more djalë, ti nuk di ku ke kokën! Në oborrin e Drejtorisë së policisë një nënë nga Vlora me shihte me dhimbje pse unë një djalë 24 vjeçar qaja. Sapo dola në rrugë, 5-6 persona që sollën Imamin në polici m’u hodhën në qafë si bisha. Forcërisht më hipën në një makinë. Në vendin e parë qëndronte një burrë rreth të 50-ave. 4 persona të tjerë më kishin ulur tek këmbët e tyre dhe më qëllonin pa pushim. Më kafshonin dhe me dhëmbë. Më torturuan keq. Ai që qëndronte në vendin e parë urdhëroi: “Tek kopshti botanik!.” Kur makina i është drejtuar kodrave të Liqenit, Lala ka menduar se rojet e Presidencës nuk do ta lejonin atë të lëvizte në “territorin” e saj. Por askush nuk është bërë i gjallë për ta ndalur atë.
Shumë shpejt makina ka përfunduar matanë Liqenit, tek disa shtëpi private. Atje Bardhok Lala ka parë tmerrin me sytë e tij. “Ishte hapur një gropë e madhe, tamam si varr masiv, tregon duke iu dridhur zëri, gazetari i maltrajtuar. Më futën me forcë në gropë dhe të gjithë së bashku më godisnin papushim. Ai që kishte trupin më të madh me godiste më shumë. Madje gjuajti dhe me pistoletë mbi kokën time. Pyetjet që më drejtonin ishin qesharake: “Ju jeni agjent i sigurimit jugosllav, grek, të duam bashkëpunëtor, etj”. E kuptova se nuk kisha asnjë rrugë shpëtimi, o duhet të vdisja ose duhet të pranoja “kushtet e vëna nga punonjësit e SHIK-ut”.
“Çdo datë 8 e 16, të çdo muaj do të paraqitesh pranë nesh për të informuar për çfarë ne do të kërkojmë”. Pranova kushin e vënë, paçka se unë kurrë nuk u paraqita pranë këtij organi famëkeq. Çasti kur unë nuk do të isha më i gjallë ishte kur “ata” më hodhën në ujin e liqenit. Kisha humbur në llucë. Me sa mësova më vonë, rreth orës 18.00, një nënë tiranase më kishte marrë në shtëpinë e saj.
Ato momente nuk do t’i harroj sa të jem gjallë. Rilinda dhe një herë. Agjentët e SHIK-ut më hodhën në Liqen për të vdekur. Kjo është historia ime, e përfundon tregimin e ngjarjes tragjike kolegu ynë gazetar” Ky rrëfim rrënqethës nuk do t’më shqitet lehtë nga mendja deri në vdekje, ndaj vendosa ta ribotoj.
Hasan Pasha