Nëse doni të dilni pak nga menuja e përhershme javore, kjo është pjata e duhur për t’i dhënë një “twist” tryezës tuaj.
Përbërësit (për 4 persona)
1.2 kg mish lepuri, i copëtuar
30 gr miell
1 lugë gjalpë
1 lugë vaj ulliri
200 ml verë e kuqe
450 ml lëng pule (i vluar ose koncentrat)
2 lugë çaji trumzë e tharë
1 gjethe dafine
2 thelbinj hudhër të grira hollë
2 lugë mustardë
kripë, piper
Përgatitja
1. Në një qese plastike ziplock fusni miellin me pak kripë dhe piper. Një nga një, do të fusni copat e lepurit në qese dhe do t’i shkundni që të mbulohen mirë me miell. Nxirrini, tundini pak për t’u hequr miellin e tepërt, dhe lërini mënjanë.
2. Shkrini gjalpin bashkë me vaj ulliri në një tenxhere të thellë në zjarr mesatar në të lartë, shtoni copat e lepurit me miell dhe gatuajini derisa të marrin ngjyrë të artë në sipërfaqe.
3. Shtoni verën e kuqe dhe vlojeni për 1 minutë, më pas shtoni lëng pule derisa ta mbuloni mishin. Shtoni trumzën, dafinën, hudhrën, pastaj vlojeni mishin ngadalë për rreth 1 orë, derisa mishi të zbutet dhe lëngu të shterojë.
4. Shtoni në tenxhere mustardën, përziejeni, dhe provojeni lëngun e mbetur për kripë e piper. Hiqeni nga zjarri dhe rregullojini copat në pjata individuale.