Tavë balte me spinaq është një gatim mja interesant për tu provuar. Vlerat ushqimore te spinaqit dihen që janë të mëdha. Prandaj dhe recetën e sotme e kemi zgjedhur me këtë përbërës.
Përbërësit për Tavë balte me spinaq
500 gr spinaq
1 kokërr qepë
100 gr djathë dele (peccorino)
1 tufë kopër
1 tufe majdanoz
vaj ulliri
piper
Përbërësit për beshamelin
1 lugë miell
1 lugë gjalpë
1 të verdhë veze
gjysmë gote qumësht
Përgatitja
Puna e parë është larja e spinaqit. Spinaqin e lajmë në një enë me ujë të bollshëm dhe e lemë 5-6 minuta në ujë që të bien papastërtitë poshtë. Ndërkohë në zjarr vëmë një tenxhere me ujë dhe kripë. Pasi të marri valë uji hedhim spinaqin,duke e lënë 1 minutë. Spinaqin e nxjerrim menjëherë nga uji i nxehtë dhe e futim në ujë të ohtë, në këtë mënyrë ruan ngjyrën. E kullojmë dhe e presim hollë.
Në një tigan të nxehur me vaj ulliri kaurdisim qepën sa të zverdhet, më pas hedhim edhe spinaqin. Në tigan hedhim koprën, majdanozin e prerë hollë, pak djathë, piper dhe e heqim nga zjarri. Në një ene tjetër përgatitim beshamel. Kaurdisim miellin me gjalpin, më pas hedhim qumështin dhe të verdhën e vezës. Masën e trazojmë shpejtë që masa të bëhet e derdhur jo me kokrra. E hedhim dhe beshamelin në tigan e trazojmë me spinaqin dhe e hedhim në tava balte. Sipër tavës hedhim djathin pekorino. Tave balte me spinaq piqet në furrë të nxehur në 200 °C për jo më shumë se 10 minuta. /arti i gatimit/