Vërtet, lulelakra me djathë përsipër nuk mund të quhet saktësisht ushqim tejet i shëndetshëm si lulelakra e thjeshtë dhe e vetmuar, por nuk e kam kuptuar kurrë maninë e njerëzve për të konsumuar ushqime “të shpëlara”, pa kurrfarë erëze apo ushqimi shoqërues që e përmirëson 1000 herë më tepër. Keni dëgjuar për racionet? Mjafton të përdorni fare pak salcë djathi, dhe me siguri që trupi juaj nuk pëson gjë!
Këtë tavë mund ta përdorni si shoqëruese për mishra të gatuar thjeshtë, si ai i pulës apo viçit.
Përbërësit (për 4-6 persona)
450 gr lulelakër, e copëtuar
3 lugë gjalpë
4 lugë miell
350 ml qumësht
1 gjethe dafine
pak arrëmyshk
1 lugë mustardë
150 gr djathë Swiss/kaçkavall i grirë
kripë, piper
Përgatitja
1. Ndizeni furrën në 180 gradë. Lyeni me gjalpë një tavë pjekjeje dhe lëreni mënjanë.
2. Në një tenxhere me ujë dhe kripë, zieni lulelakrën e copëtuar për rreth 10 minuta derisa të zbutet. Kullojeni lulelakrën.
3. Shkrijen gjalpin në një tenxhere mbi zjarr mesatar, shtoni miellin dhe përziejini bashkë derisa të artësohen. Shtoni gjysmën e qumështit, përziejini derisa të bëhet e njëtrajtshme salca, pastaj shtoni edhe gjysmën tjetër të qumështit, gjethen e dafinës, kripë, piper dhe arrëmyshk duke i provuar. Uleni pak nxehtësinë, vërini tenxheres kapak dhe ziejeni salcën në zjarr të avashtë për 5 minuta, duke përzier vazhdimisht. Hiqni gjethen e dafinës, shtoni mustardën dhe gjysmën e djathit të grirë dhe përziejini derisa të shkrihet.
4. Në tavën e bërë me gjalpë rregulloni lulelakrën e kulluar. Hidhini sipër salcën e djathit të përgatitur dhe spërkatni sipër edhe djathin e mbetur. Piqeni në furrë për rreth 20 minuta derisa të marrë ngjyrë të artë në kafe në sipërfaqe.
PS: Para se t’i hidhni lulelakrave salcën e djathit, mund t’i shtoni edhe copa proshute.