Redjan Rraja i akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoja, mohoi në seancën e sotme që të ketë lidhje me automjetin “Audi” , që SPAK i ka sekuestruar Kejvina Kthellës.
“Kam pasur marrëdhënie miqësie ne Kthjellen, por asgjë tjetër. Ajo makinë ka qenë më emër mbiemër të saj. Unë nuk kam lidhje fare. Është objekt që është i saj. Nuk e di kur është blerë. Në mënyrë absolute nuk kam kontribuar në blerjen e këtij mjeti”, tha Rraja.
Në lidhje me të ardhurat e tij, Rraja tha se kishte tre klinika stomatologjike dhe se siguronte deri ne 200 mln lekë të vjetër. Rraja deklaroi në seancë se në vitin 2016 kishte bërë një kontratë prenotimi për një njësi tregtare e dy garazhe dhe se kishte paguar përmes bankës rreth 200 mijë euro.
Sipas tij, një pjesë të shumës e kishte kërkuar pas për shkak se i ishin nevojitur gjatë kohës që kishte shkuar në Kanada. “Kur erdha nga Kanadaja, do t’i ktheja lekët, por u arrestova”, pohoi ai sot në sallën e GJKKO-së. Ai tha se nuk kujtonte të kishte pasur marrëdhënie kontraktore me një familjare të Elton Ciços. Këtë të fundit ai u shpreh se mund ta ketë patur pacient, pasi ka punuar 6 vite si stomatolog në Tepelenë. “Me Elton Cicon kam qenë në tavoline kur ai u vra”, përfundoi duket Rraja.