Pranvera Kola
Edhe për vitin akademik 2019-2020 qindra studentë të degëve të ndryshme në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tiranës do të mund të përfitojnë nga reduktimi i tarifës vjetore të shkollimit, si dhe në raste të caktuara edhe përjashtimin nga detyrimi për shlyerjen e saj.
Sipas afateve të përcaktuara, studentët që u përkasin kryesisht shtresave në nevojë duhet që përgjatë ditëve në vijim të bëjnë gati dosjen e dokumenteve që duhen dhe ta dorëzojnë atë pranë strukturave përgjegjëse të këtij fakulteti.
Për reduktimin e tarifave të shkollimit për vitin 2019-2020, dosjen e bërë gati, studentët duhet ta dorëzojnë pranë Degës së Shërbimeve Fakultetit në katin e dytë të godinës trekatëshe.
Pranimi i dosjes do të vijojë deri në datën 24 janar”, bëjnë me dije ekspertët e Fakultetit Ekonomik. Reduktimin e tarifave do ta përfitojnë në total 13 grupe studentësh që u përkasin shtresave sociale në nevojë.
Për të mos pasur mangësi në dosje, të cilat mund të jenë edhe objekt skualifikimi, në vijim të shkrimit për secilën prej këtyre kategorive do të gjeni të detajuar listën e plotë të dokumenteve që duhen për të konfirmuar të drejtën e reduktimit të tarifës së studimit që duhet të shlyejnë në prag të nisjes së sezonit të provimeve. Për studentët me mesatare 9-10, bëhet e ditur se duhet të dorëzojnë edhe një deklaratë sipas tipit të përcaktuar, ku të evidentohet edhe mesatarja e ponderuar që kanë arritur në vitin paraardhës të studimeve të kryera.
Duke u ndalur tek kategoritë e konfirmuara për këtë vit akademik kanë të drejtë që të përfitojnë nga reduktimi i tarifave të studimit të gjithë studentët që u përkasin familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, studentët me statusin e jetimit, bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, studentët që janë me aftësi të kufizuara, si dhe ata që kanë prindërit me aftësi të kufizuara.
Po ashtu të drejtë përfitimi kanë edhe studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk jeton, studentët që janë të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë, studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë përfituar statusin ligjor për trajtim si viktima të trafikut të qenieve njerëzore deri në moshën 25 vjeç, studentët romë dhe egjiptianë, studentët nga radhët e ish të dënuarve politikë, studentët me mesatare 9-10, si dhe studentët që janë fëmijë të policëve të rënë në krye të detyrës.
Sipas kushteve të përcaktuara në Ligjin e arsimit të lartë, programet e ciklit të parë të studimit në këtë fakultet, organizohen me jo më pak se 180 kredite evropiane dhe kohëzgjatja normale e tyre është tri vite akademike. Studentët në programet e ciklit të parë të studimeve diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Institucionet e arsimit të lartë përcaktojnë në rregulloren e tyre pragun e notës mesatare, që i jep të drejtë studentit të ciklit të parë të diplomohet, duke përgatitur dhe mbrojtur një punim diplome. Në përfundim të programeve të ciklit të parë lëshohet diploma “Bachelor” në fushën e arsimimit të kryer.
Dokumentacioni i kërkuar për secilën kategori përfituese
Studentët, familjet e të cilëve trajtohen me ndihme ekonomike duhet të dorëzojnë:
• Certifikate familjare.
• Kopje të Kartës së Identitetit.
• Vërtetim nga Njësia Administrative Vendore që tregon se familja e studentit trajtohet me ndihmë ekonomike
Për bashkëshortët që kanë fëmijë dhe janë të dy studentë, përfitojnë secili bursë financiare duhen:
• Certifikate familjare.
• Kopje të Kartës së Identitetit.
• Vërtetim studenti nga institucionet publike të arsimit të lartë.
Studentët, persona me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojnë:
• Kopje të Kartës së Identitetit.
• Vërtetim i pagesës nga DRSHS.
• Kopje e vendimit të KMCAP, Komisioni Mjekësor i Caktimit të Aftësisë për Punë që tregon se janë përfitues të kësaj pagese.
Studentët që i kanë prindërit me aftësi të kufizuara duhet të dorëzojnë:
• Certifikate familjare.
• Kopje të Kartës së Identitetit.
• Vërtetim i pagesës nga DRSHS.
• Kopje e vendimit të KMCAP që tregon se të dy prindërit janë përfitues të pagesës së aftësisë së kufizuar.
Për studentët që i kanë të dy prindërit pensionistë, ose njërin prind pensionist dhe prindi tjetër nuk
jeton duhen:
• Certifikate familjare.
• Kopje të Kartës së Identitetit
• Vërtetim i pagesës pensionit nga DRSHS.
Studentët, të tretët në radhën e fëmijëve e lart, të cilët vijnë nga familje me tre fëmijë e më shumë, nga të cilët dy të parët janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë duhen:
• Certifikate familjare.
• Kopje të Kartës së Identitetit.
• Vërtetimi që të dy fëmijët e parë janë studentë në institucionet publike të arsimit të lartë.
Për studentët që kanë përfituar statusin e jetimit, deri në moshën 25 vjeç;
• Kopje të Kartës së Identitetit
• Vërtetim të statusit të jetimit.
Studentët që kanë humbur kujdestarinë prindërore me vendim gjykate të formës së prerë,deri në
moshën 25 vjeç duhet të dorëzojnë;
Certifikate familjare.
Kopje të Kartës së Identitetit
Vendim gjykate të formës së prerë.
Për studentët që janë identifikuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore duhen:
• Kopje të Kartës së Identitetit.
• Vërtetim nga Ministria e Brendshme.
Studentët që janë fëmijë të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ të Shtetit dhe të Policisë së Burgjeve që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës duhen:
• Kopje të Kartës së Identitetit
• Shkresa nga Ministria përkatëse.
Studentët romë dhe egjiptianë, të cilët do të identifikohen nëpërmjet vetëdeklarimit
• Kopje të Kartës së Identitetit
• Formulari i vetedeklarimit
Studentët, fëmijë të ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë nga sistemi komunist ose fëmijë me prindër të dënuar politikë me heqje lirie duhet të dorëzojnë:
• Certifikate familjare.
• Kopje të Kartës së Identitetit
• Vërtetimi nga instituti i të përndjekurve politike.
• Studentët me mesatare 9-10
• Deklarata e përcaktuar për mesataren e ponderuar.
