Kryetari i PD Lulzim Basha i ka kthyer përgjigje ftesës së bërë nga bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri për të vijuar në tryezë dialogun.
“Duhet ta mbani vëmendjen tek pandemia ekonomike, të tjerat janë gënjeshtra, s’jemi larguar kurrë nga tryeza, qeverisë i ka munguar vullneti të shprehet për propozimet tona, ka propozimet tona atje, qeveria nëse është e sinqertë nuk ka pse të presë deri javën tjetër, jemi gati që nesër për ti dhënë shqiptarëve një qeveri legjitime të kujdeset për fatin e tyre dhe ekonominë që po bie në gropë”, tha Basha.
Gjiknuri deklaroi pas mbledhjes online të Këshillit Politik se do t’i kërkojë zyrtarisht opozitës që Këshilli Politik të rifillojë javës tjetër dhe nëse nuk duan të vijnë është vendim i tyre.
Por Gjiknuri la të nënkuptohet se me apo pjesëmarrjen e opozitës Reforma Zgjedhore do të përmbyllet brenda 30 qershorit, duke theksuar se “dora është e shtrirë, por mospjesëmarrja e tyre nuk mund të mbajë peng këtë proces”.