Sa një kafe zgjati aventura e katër emigrantëve që mbërritën mëngjesin e sotëm në portin e Shëngjinit, në bazë të marrëveshjes së arritur mes qeverive Rama dhe Meloni.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, mes 49 emigrantëve që u akomoduan në Shqipëri, 3 të mitur dhe një person me probleme shëndetësore do të kthehen sonte në mbrëmje në Itali, duke bërë kështu vetëm një xhiro vajtje ardhje në dy brigjet e Adriatikut. 49 emigrantët nga Bangladeshi, Egjipti dhe Gambia ishin shpëtuar gjatë fundjavës në ujërat ndërkombëtare në jug të Lampedusës.
Në hotspotin “italian” të Shëngjinit, azilkërkuesit do të identifikohen dhe do t’i nënshtrohen një kontrolli të thelluar mjekësor. Nëse konstatohen kushte vulnerabël, ata do të dërgohen në Itali, siç ndodhi në disa raste në dy transferimet e mëparshme në Shqipëri, në tetor dhe nëntor 2024.
Më pas të huajt do të transferohen në qendrën tjetër në Gjadër, rreth njëzet kilometra larg në brendësi të vendit, në bazë të ndalimit të urdhëruar nga komisariati i policisë së Romës.