Gjatë protestës së opozitës ditën e sotme ku u bllokuan rrugët kryesore të vendit, ra në sy mungesa e figurave të rëndësishme të Partisë Demokratike si Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Arben Imami apo Eduart Selami.
Këta të fundit janë shprehur gjithmonë kritik dhe të pa kënaqur nga puna e kryedemokratit Lulzim Basha.
Deputetja demokrate Jozefina Topalli, e pyetur për “bojkotimin” e protestës së sotme, la të kuptohet se nuk pajtohet me këtë formë proteste.
Ish-kryetarja e Kuvendit nënkuptoi me mesazhin e saj se nuk i pëlqen rruga që po ndjek Lulzim Basha për të sjellë opozitën në pushtet.
“Mbështes çdo protestë për punë, për bukë, protestë kundra padrejtësive, kundra drogës, krimit, kundra korrupsionit, kundra kalbëzimit të qeverisjes. Qëndrimet e mia i kam bërë të qarta çdo seancë parlamentare e do vazhdoj ta bëj. Kam folur kur shumica heshtte. Kam luftuar kur shumica kërcënonte e do vazhdoj të bëj betejën si opozitare, në respekt të bindjeve të mia, parimeve demokratike e rregullave të demokracisë,” tha Topalli.
Ish-kryetarja e Kuvendi ka theksuar për BalkanWeb se ka 3 vite që përsërit nevojën për një opozitë të fortë ndaj qeverisë, ndërsa ka vënë në dukje faktin se në kushte normale Partia Demokratike duhej të ishte sot në fushatë.
“Ky vend është në zgrip të humnerës. E qytetarët e tij janë më të varfër se kurrë në këta 25 vite. Ne jemi në një pikë kritike. Kam të paktën 3 vite që e përsëris dhe kërkoj opozitë të fortë. Kjo qeverisje meritonte të përmbysej prej kohësh. Në kushte normale tani duhej të ishim në fushatë. Por në vendin tonë asgjë nuk është më normale. Dhe kjo situatë është shumë preokupuese”, është shprehur Topalli.
Që disa nga figurat kryesore brenda PD-së, janë të pa kënaqur nga puna e Lulzim Bashës, tashmë ky nuk është më një lajm i ri. Por ata kanë nisur edhe të mos respektojnë vendimet që ai merr.