Bilanci i aksidentit të ndodhur në aksin rrugor Fier–Vlorë, në vendin e njohur si “Kripa” në Panaja, është rënduar më tej. Raportohet se ka ndërruar jetë pasagjeri që u plagos rëndë në përplasjen mes një automjeti tip “Dacia” dhe një kamionçine, duke e çuar në dy numrin e viktimave.
Pasagjeri, i cili u transportua në gjendje kritike për jetën në Spitalin Rajonal të Vlorës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm.
Kujtojmë se aksidenti i rëndë ditën e djeshme, ku humbi jetën në vend drejtuesi i kamionçinës, një 62-vjeçar, pas përplasjes së fortë me barrierat anësore të rrugës. Zjarrfikësit ndërhynë për nxjerrjen e trupit nga kabina e dëmtuar rëndë.
Automjeti tjetër i përfshirë në aksident, një mjet tip “Dacia”, drejtohej nga një 28-vjeçare me shtetësi italiane, e cila, sipas burimeve paraprake, po lëvizte me shpejtësi të lartë në momentin e ngjarjes.
Grupi hetimor vijon punën për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit. Ende nuk është dhënë një konkluzion përfundimtar mbi shkaktarin e ngjarjes, ndërsa pritet akt-ekspertimi teknik dhe dëshmitë e palëve të mbijetuara.
Ndërkohë, Prokuroria ka nisur procedurat hetimore për zbardhjen e plotë të rastit dhe për të përcaktuar nëse do të ketë ndjekje penale ndaj drejtueses së automjetit “Dacia”.
