Policia e Shtetit ka zbuluar detaje në lidhje me operacionin e madh “NEIKEA” të zhvilluar kundër një grupi kriminal që merrej me trafikun e lëndëve narkotike mes Shqipërisë dhe Italisë. Blutë bëjnë me dije se gjatë këtij operacioni janë ekzekutuar 12 urdhër-arreste të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Milanos/Itali, për shtetas italianë dhe shqiptarë të akuzuar për veprën penale “Organizatë kriminalë, më qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”.
Sa i përket palës shqiptare, RENEA dhe FAST kanë kryer disa kontrolle në qytetin e Laçit duke arrestuar me qëllim ekstradimin 2 persona. Njëri prej tyre është nga Tirana dhe tjetri nga Laçi.
Bëhet fjalë për Bledar Çoman i njohur edhe si Bledar Kurtin dhe Enis Preçin i njohur ndryshe edhe si Enis Uruçi.
“Mëngjesin e sotëm u përmbyll operacioni ndërkombëtar policor i koduar “NEIKEA”, në kuadër të së cilit u ekzekutuan 12 urdhër-arreste të lëshuara nga Prokuroria pranë Gjykatës së Milanos/Itali, për shtetas italianë dhe shqiptarë të akuzuar për veprën penale “Organizatë kriminalë, më qëllim trafikun ndërkombëtar të drogës”.
Operacioni “NEIKEA” ka nisur që nga viti 2016 nga Policia e Milanos dhe kishte për qëllim goditjen e organizatës kriminale që drejtohej nga shtetasi italian Luca Guerra që merrej me shitjen e kokainës në Balsamo/Milano”, bën me dije policia.