Reshjet e dendura të dëborës kanë sjellë probleme të shumta në Rrugën e Arbrit, veçanërisht në zonën e Tunelit të Murrizit. Që prej orës 07:30 të mëngjesit, disa automjete kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në kanal, si pasojë e rrëshqitjes në borë. Raportohet gjithashtu për disa përplasje mes mjeteve, të shkaktuara nga kushtet e vështira atmosferike.
Situata ka qenë problematike si në krahun e Tiranës, ashtu edhe në atë të Klosit, ku qarkullimi është bllokuar për më shumë se një orë. Vështirësi të mëdha në lëvizje janë konstatuar edhe në segmentin nga Ura e Vashës drejt Peshkopisë, si dhe në zonën e Tunelit të Qafë-Buallit, ku shumë automjete kanë mbetur të bllokuara nga bora.
Policia Rrugore ndodhet në terren dhe po punon për menaxhimin e trafikut dhe parandalimin e aksidenteve. Megjithatë, situata paraqitet në përkeqësim për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës dhe ngricave, të cilat e bëjnë qarkullimin gjithnjë e më të rrezikshëm në këtë aks rrugor.
Autoritetet u kanë kërkuar firmave mirëmbajtëse të ndërhyjnë urgjentisht me hedhjen e kripës dhe skorieve, për të garantuar sigurinë dhe vijueshmërinë e lëvizjes. Ndërkohë, Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë, si dhe të tregojnë kujdes maksimal gjatë qarkullimit.
