Në Durrës janë shfaqur disa problematika si pasojë e motit të keq. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile informoi sot se një ekskavator i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit ka mbërritur në Kanalin e Ujërave të Larta për ndërhyrje dhe pastrimin e kanaleve.
Sipas AKMC-së, ka rritje të nivelit të ujit në rrugë, duke shkaktuar vështirësi në qarkullimin e mjeteve dhe lëvizjen e këmbësorëve. Ka prani të ujit në disa zona të qytetit si dhe në Shkozet, ish-magazinat e Agrotransportit, Zona e Plazhit, Ish-Këneta, Stadiumi dhe Lagjja “17 Nëntori”.
Uji ka depërtuar gjithashtu në oborret e disa shtëpive në zonën e njohur si “Ura e Dajlanit” dhe ish-Këneta. Niveli i ujit në Kanalin e Ujërave të Larta në unazën e qytetit ka arritur në një nivel kritik. Po ashtu, ka prani të ujit edhe në sipërfaqe bujqësore në njësinë administrative Sukth.
Strukturat vendore janë angazhuar për të riparuar pasojat e krijuara dhe po punojnë intensivisht për të menaxhuar situatën. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile bën të ditur se do të vijojë të ndjekë situatën, për të koordinuar forcat deri në normalizimin e situatës.