Prej 24 orësh tre hidrocentralet më të mëdhenj të vendit, që gjenden në Kaskadën e Drinit, kanë hapur portat e shkarkimit për shkak të reshjeve të shumta që kanë përfshirë gjithë zonën veriore të Shqipërisë. Ndërkohë, tre hidrocentralet e kaskadës, ai i Fierzës, Komanit dhe Vau Dejës, po punojnë me kapacitet maksimal duke shkarkuar edhe ato sasi të mëdha uji. Sipas Institutit të Gjeoshkencës, gjatë 24 orëve të fundit, në basenin e Komanit dhe Vaut të Dejës kanë rënë mesatarisht 65 milimetra shi, ndërsa në atë të Fierzës rreth 30 milimetra. Kjo ka ndikuar në rritjen e shpejtë të nivelit në basenet e këtyre hidrocentraleve. Gjithashtu, në zonën e Alpeve; në Theth dhe Valbonë, sasia e reshjeve ka arritur pikën kritike me mbi 120 milimetër shi.
Aktualisht, niveli i ujit në Liqenin e Fierzës, më i madhi në Shqipëri, është në kuotën e rreth 289 metrave, vetëm 7 metër nga kuota maksimale, ndërsa në hidrocentralin e Komanit niveli i ujit ka arritur në 166 metra dhe në Vau Dejës në mbi 72 metër.
Hidrocentrali i Vaut të Dejës, i cili gjendet vetëm 15 kilometra nga qyteti i Shkodrës, po përballon për momentin prurjet më të mëdha, duke detyruar specialistët e KESH-it të rrisin nivelin e shkarkimeve më shumë se 600 metër kub ujë në sekondë nga tuneli i Digës së Qursaqit.